BIRN: Kuvendi miraton dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët

Sipas dispozitës ligjore të miratuar, “një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ushtrohet aktiviteti, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave /thënieve ose çdo informacioni tjetër, përmes shtypit, medias audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik”.

Dispozita shoqërohet megjithatë me disa kushte, të tilla që gazetari të mos ketë dijeni që të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre dhe të veprojë pa vonesë në rastin kur informohet nga personi i prekur.

Më tej dispozita qartëson se termi “përhapje me mirëbesim” do të thotë përhapje që kryhet në përputhje me rregullat etike e profesionale të gazetarisë, mbi baza faktike e të arsyeshme.

“Vlerësimet, opinionet, komentet, kritikat ose interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje, në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë, shprehimisht ose të nënkuptuara, pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme,” thuhet në draft.

Ndryshimet prekën dhe nenin që përcakton si vepër penale “Goditjet për shkak të detyrës” ku u shtua edhe dhuna ndaj gazetarëve.

“Kur kjo vepër penale kryhet kundër një personi të punësuar ose të vetëpunësuar si gazetar, të regjistruar dhe të njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ushtrohet aktiviteti, për shkak të ushtrimit të aktivitetit të tij professional dhe kur cilësia 21 e tij është e dukshme ose e njohur, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”- thuhet në variantin e miratuar nga komisioni.

Dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët ka qenë një kërkesë e hershme e Komisionit Europian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari mbrojti ndryshimet dhe i cilësoi ato si forcim i mbrojtjes për gazetarët dhe lirinë e medias, “duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre”.

Më herët, komisioni rrëzoi propozimin e deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku për nenin që mbron gazetarët.

Tabaku mbrojti formulimin e saj si një mbrojtje më e plotë ndaj gazetarëve dhe i konsultuar gjërësisht me organizatat e medias dhe shoqërisë civile.

Ndërkohë ndryshimet e tjera në Kodin Penal prekin dhe dispozita të tjera që sipas Ministrit lidhen me përafrimin e legjislacionit me aktet e Komisionit Europian, forcojnë shtetin e së drejtës dhe rrisin sigurinë publike.

Ndër to shtohet si vepër penale parkimi i dyfishtë, në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe mjetet e emergjencës. Dispozitat e reja sjellin një ashpërsim të dënimeve për veprat penale të kryera ndaj fëmijëve dhe ato me natyrë seksuale e përhapjes së terrorizmit./ BIRN



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×