
Një 30-vjeçar me iniciale S.P., është gjetur të premten në mesditë, pas dy ditë kërkimesh intensive nga autoritetet e Kosovës në rajonin e Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, S.P. ishte zhdukur mëngjesin e 21 janarit në fshatin Jezercë të Ferizajt. Ai ishte larguar nga një vilë dhe besohet se me një veturë BMW kishte shkaktuar një aksident trafiku.
Pas pranimit të informatës për zhdukjen e tij, autoritetet kanë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonën përreth, si dhe kanë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe disa ordinanca private, por nuk është raportuar për asnjë të lënduar.
Të premten, një qytetar ka kontaktuar autoritetet duke njoftuar se e ka hasur një person të panjohur në fshatin Budakovë të Suharekës, pranë vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”.
Pas verifikimeve është konfirmuar se bëhej fjalë për S.P., i cili menjëherë ka marrë ndihmë mjekësore dhe po trajtohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Policia ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, si dhe qytetarin B. Osmani, 54 vjeç nga Ferizaj, për kontributin e dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.
Ndërkaq, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit ka publikuar disa fotografi nga momenti i gjetjes, duke bërë të ditur se shtetasi shqiptar është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore.
and then