Spiropali pritet në Stamboll nga Ministri i Jashtëm turk: Partneriteti strategjik në rritje, bashkëpunim për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Stamboll ku do të marrë pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj turk Hakan Fidan.

Platforma është një iniciativë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë me fokus zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në të gjitha fushat me interes të përbashkët, shkëmbimin e pikëpamjeve mbi ndërlidhjen e infrastrukturës, sigurinë energjetike, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mbrojtjes.

Përpara takimit të nivelit të lartë, Ministrja Spiropali u prit në një takim nga Ministri Hakan Fidan, me fokus thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët.

Spiropali theksoi se “partneriteti strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona përgjatë këtij viti.”

“Mbajtja e Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin tjetër në Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve mike”, tha Spiropali.

Në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në kontinent por edhe me gjerë, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë kësaj vizite, Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×