“Rama dhe Balluku akuzohen për korrupsion, kërkohet dorëheqja”, AFP për protestën e opozitës: Mijëra njerëz në tubim, shpërthejnë trazirat në Tiranë

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) i ka bërë jehonë protestës së opozitës në Tiranë, këtë të shtunë, 24 janar 2026.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë çështjet kryesore që e pengojnë Shqipërinë të anëtarësohet në Bashkimin Europian.”,- shkruan AFP.

Të shtunën pati trazira në kryeqytetin e Shqipërisë mes policisë dhe protestuesve të opozitës, të cilët akuzojnë kryeministrin socialist Edi Rama për korrupsion dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, raportoi një gazetar i AFP-së.

Protesta, e udhëhequr nga lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha, mblodhi mijëra njerëz në një tubim përpara godinës kryesore të qeverisë në Tiranë.

Berisha, kryetar i Partisë Demokratike të djathtë, u bëri thirrje mbështetësve që të “bashkohen për të përmbysur këtë qeveri dhe për të vendosur një qeveri teknike që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme”.

Pas fjalimeve, disa protestues hodhën kokteje Molotov ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.

Përplasjet shpërthyen kur grupe protestuesish marshuan drejt parlamentit, ku tentuan të çanin kordonët e policisë, duke hedhur gurë dhe kokteje Molotov.

Policia u përgjigj sërish me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Të paktën 10 efektivë policie pësuan lëndime të lehta, thuhet në një deklaratë të policisë.

Sipas Berishës, 25 protestues u arrestuan.

“Ky është kilometri i fundit drejt fundit të regjimit të Edi Ramës”, u tha ai mbështetësve jashtë selisë së partisë së tij pas protestës, duke u zotuar se do të vazhdojë betejën.

Politika shqiptare karakterizohet nga sulme të ashpra verbale, me partitë e djathta dhe të majta që shkëmbejnë fyerje dhe akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Në nëntor, një gjykatë kundër korrupsionit pezulloi zëvendëskryeministren dhe aleaten e ngushtë të Ramës për rolin e saj si e dyshuar në një çështje korrupsioni lidhur me prokurimet publike.

Belinda Balluku, gjithashtu ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, i ka mohuar akuzat, ndërsa Rama e cilësoi pezullimin e saj si “një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e ekzekutivit”.

Me kërkesë të qeverisë, Gjykata Kushtetuese në dhjetor e riktheu përkohësisht Ballukun në detyrë, në pritje të vendimit përfundimtar.

Një komision parlamentar pritet të shqyrtojë të mërkurën kërkesën e prokurorëve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për heqjen e imunitetit të saj, çka do të mundësonte arrestimin.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë çështjet kryesore që e pengojnë Shqipërinë të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

Dy ish-ministra të tjerë që kanë shërbyer nën qeverinë Rama janë akuzuar për përvetësim fondesh dhe shpërdorim detyre.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti Ilir Meta u arrestua në tetor 2024, gjithashtu nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×