Dhoma e Avokatisë Vlorë kundër zhvendosjes së Kadastrës: Diskriminim territorial që favorizon centralizimin në Tiranë, të rishikohet vendimi

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka reaguar ndaj vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga Vlora drejt Tiranës, duke e cilësuar atë një vendim të papranueshëm, njëanshëm dhe të dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët.

Në reagimin e saj, Dhoma thekson se kjo lëvizje është pjesë e një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, pas largimit të Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në “periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare”.

Sipas Dhomës, zhvendosja e institucioneve shtetërore nga Vlora përbën:

Cenim të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë;

Goditje ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike;

Diskriminim territorial që favorizon centralizimin në Tiranë dhe braktis qytetet historike dhe strategjike.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon:

Rishikimin dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Kadastrës;

Ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora;

Rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative të domosdoshme për qytetin.

Në fund, Dhoma paralajmëron se nëse kjo prirje vazhdon, rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit.

“Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj,” përfundon reagimi.

 

Deklarata e plotë

REAGIM I DHOMËS VENDORE TË AVOKATISË VLORË

Dhoma e Avokatisë Vlorë shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e saj të fortë ndaj vendimit të fundit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës, një vendim i papranueshëm, i njëanshëm dhe thellësisht i dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e këtij qarku.

Ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare.

Largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora përbën:

–              Cenim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë;

–              Goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike;

–              Diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit.

Vlora, një qytet me peshë historike, juridike dhe kombëtare, nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një qytet i dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrativ.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon:

–              Rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;

–              Ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora;

–              Rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative, të domosdoshme për një qytet të këtij dimensioni dhe rëndësie.

Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës.

Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×