
Fotoreporteri Felix Bilani ka rrëfyer në emisionin “Studio24” momentet që përjetoi gjatë protestës kombëtare të opozitës, ku sipas tij u sulmua me sprej piperi direkt në fytyrë, duke humbur për disa sekonda orientimin dhe duke rënë përtokë.
Bilani u shpreh se një ngjarje e tillë është e paprecedentë në historinë e protestave në vend. “Kurrë në historinë e protestave nuk është sulmuar me gaz lotsjellës apo peper sprej në fytyrë”, deklaroi ai, duke përshkruar situatën e tensionuar pranë selisë së Partisë Demokratike, ku ishin të pranishëm topi i ujit, automjete policie dhe dy deputetë të PD-së që po konfrontoheshin me efektivët.
Sipas fotoreporterit, ai ishte duke kryer detyrën profesionale, me aparatin fotografik në një dorë dhe telefonin në tjetrën për të xhiruar pamje për redaksinë, kur papritur u sulmua. “Nuk pashë më asgjë, vetëm ndjeva sprajin në fytyrë dhe për 3-4 sekonda rashë në tokë”, tha Bilani, duke shtuar se personi që e spërkati ishte i veshur me uniformë policie.
Ai tregoi se pas incidentit u transportua me ambulancë, ku iu dha oksigjen, ndërsa theksoi se përdorimi i sprejit duhet të bëhet me kujdes, pasi pasojat mund të jenë serioze. “Unë jam diabetik dhe kardiak. Policia duhet ta dijë që nuk përdoret spraji kundër njerëzve pa ditur pasojat”, u shpreh ai.
Më pas, Bilani tregoi se u dërgua në QSUT, ku efekti i sprejit nisi të zbehej, por për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe fizike, ai vendosi të largohej me vullnetin e tij nga spitali. “Firmosa që do të dilja me dëshirën time dhe shkova në shtëpi. Kam konsumuar qumësht dhe ujë, sipas këshillës së miqve mjekë”, tha ai.
Edhe ditën pas ngjarjes, fotoreporteri pohon se pasojat vazhdojnë. “Sytë i kam ende shumë të rëndë, sepse isha në distancë shumë të afërt kur u përdor spraji”, përfundoi Bilani.
and then