SKI/ Një tjetër fundjavë “jo”, Kolturi “shkrihet” në garat e Çekisë

Fundjavë për t’u harruar në Çeki për Lara Kolturin në Kupën e Botës së skive alpine, e cila nisi me zhgënjim, ndërsa u mbyll akoma më keq për skiatoren e Shqipërisë.

Vajza e talentuar e skive, e cila mbron ngjyrat kuqezi nuk mundi që të linte gjurmë në ndalesën e dyfishtë në Spindleruv Mlyn. Konkurrimi i parë për Larën ishte të shtunën në garën e sllallomit gjigant, një disiplinë që në fakt e ka parë 19-vjeçaren në vështirësi gjatë këtij sezoni. Lara fiksoi kohën 1:14.37 në zbritjen e parë, duke u renditur e 21-ta. Ajo u përmirësua në lëshimin e dytë, ku shënoi kohën 1:13.36, për të zënë vendin e 12-të. Ndërsa me rezultatin total 2:27.73, Lara e përfundoi sllallomin gjigant të Çekisë në vendin e 12-të.

Gara u fitua nga suedezja Sara Hektor me kohën 2:23.86, e ndjekur nga amerikanet Paula Moltza (+0.18) dhe Mikaela Shifrin (+0.23). E diela rezervoi garën e sllallomit, një disiplinë që konsiderohet edhe si arma më e fortë për Kolturin, por kampionia kuqezi nuk arriti që t’i justifikonte pritshmëritë. Një gabim në zbritjen e parë i kushtoi rëndë Larës, e cila u skualifikua, duke e mbyllur aty konkurrimin e saj. Sllallomi në Spindleruv u fitua nga Mikaela Shifrin, e cila e ndali kronometrin në kohën 1:37.59, duke lënë pas Kamil Rast (+1.67) të Zvicrës dhe gjermanen Ema Aisher (+2.18).

RENDITJA E PËRGJITHSHME – Në klasifikimin e përgjithshëm të Kupës së Botës 2025-2026, pas garave në Çeki, Mikaela Shifrin mbetet lidere, teksa amerikania tashmë ka kaluar pragun e 1 mijë pikëve. Ajo kryeson me 1133 pikë të grumbulluara, ndjekur nga Kamil Rast, që koleksionon 963 pikë në vendin e dytë. Treshja e parë kompletohet nga Ema Aisher e Gjermanisë me 684 pikë. Ndërkohë, Lara Kolturi mbetet në vendin e dhjetë, me 467 pikë të regjistruara gjatë këtij sezoni, ndërsa vijon të jetë e para në klasifikimin e të rejave deri në moshën 21-vjeçare.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×