Dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, Bino: Në mbrojtje vetëm ata që figurojnë të regjistruar, por…

Blerjana Bino, përfaqësuese e organizatës Safe Journalist, foli në News24 lidhur me nismën e fundit të qeverisë për dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke theksuar se shoqëria civile ka kërkuar prej kohësh heqjen e shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal.

Sipas Binos, qëndrimi i shoqërisë civile dhe i komitetit të medias është që shpifja dhe fyerja të mos trajtohen më si vepra penale, por të zgjidhen përmes procedurave civile. “Kjo do të thotë që kushdo që ndihet i dëmtuar në reputacion të ketë të drejtën ta zgjidhë çështjen në gjykatë civile, përmes dëmshpërblimit financiar,” u shpreh ajo, duke shtuar se ky model është në përputhje me orientimet e Këshillit të Evropës.

Bino theksoi se ekzistenca e shpifjes si vepër penale ka një efekt frikësues, veçanërisht për gazetarët, por edhe për aktorë të tjerë publikë. Sipas saj, mbrojtja e lirisë së shprehjes nuk duhet të kufizohet vetëm te gazetarët, por duhet të përfshijë edhe aktivistë, opinionistë, akademikë dhe qytetarë të tjerë që kontribuojnë në debatin publik.

Ajo kritikoi gjithashtu propozimin që parashikon ndryshimin e nenit për shpifjen vetëm për një grup të caktuar, të ashtuquajtur “gazetarë të regjistruar”. “Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër të gazetarëve,” theksoi Bino, duke nënvizuar se një ndarje e tillë do të krijonte probleme serioze për barazinë para ligjit dhe për standardet e lirisë së medias.

Sipas saj, dekriminalizimi i plotë i shpifjes dhe fyerjes do të ishte një hap i rëndësishëm për përmirësimin e klimës së lirisë së shprehjes dhe të medias në Shqipëri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×