“Plani djallëzor për të shpëtuar Ballukun, i njëjtë me atë të Xhaçkës”, Shehaj: Vendimi për fatin e të korruptuarve është marrë në Perëndim, është çështje kohe!

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi nga foltorja e Kuvendit mazhorancën socialiste se po ndjek një skenar të ngjashëm me rastin e ish-ministres Olta Xhaçka, për të shmangur përgjegjësinë penale të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën akuzë nga SPAK.

Sipas Shehajt, strategjia e kryeministrit Edi Rama konsiston në zvarritjen e procesit përmes dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Komisionin e Venecias, me qëllim fitimin e kohës deri në skadimin e afateve ligjore. Ai pretendoi se e njëjta praktikë u përdor në rastin e Olta Xhaçkës, duke çuar, sipas tij, në shmangien e përgjegjësisë.

Shehaj shtoi se në rastin e Ballukut, mazhoranca synon që paralelisht me zvarritjen institucionale, ta bindë atë të japë dorëheqjen, duke e hequr çështjen nga vëmendja publike.

Ai theksoi se, sipas tij, vendimi përfundimtar ndaj rasteve të korrupsionit nuk do të merret në Shqipëri, por nga partnerët perëndimorë.

“Plani i Ramës është i njëjti si me Xhaçkën. Pas drejtimit në GJK për shkarkimin e Xhaçkës, gjenitë e korrupsionit thanë të bëjmë lojën e Komisionit të Venecias për të fituar kohë dhe të mbarojnë afatet dhe kështu Xhaçka shpëtoi. Ky është plani i Ramës për t’i shpëtuar drejtësisë. GJK ka gjasa të mos marrë vendim, t’i drejtohet Venecias, të fitojnë kohë, të harrohet Balluku ndërkohë e kanë bindur të japë dorëheqje dhe kështu shpëtojnë nga sikleti i Belinda Ballukut. Ky është plani djallëzor për t’u shpëtuar drejtësisë, por ka diçka që nuk shpëton. Shqiptarët i keni rrjepur, por vendimi për fatin e të korruptuarve është marrë në Perëndim, jo këtu. Tani po shpikni të gjitha, është çështje kohe, është koha juaj e të korruptuarve që kanë vjedhur shqiptarët, mos ja bëj me kokë ashtu Taulant se do të vijë koha edhe ty”, u shpreh ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×