
Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka denoncuar publikisht një raste të rëndë abuzimi të lidhura me zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin.
Sipas Toskës, largimi i Ballukut nga detyra mund të vijë vetëm përmes shtimit të akuzave të reja penale. Ai deklaroi se deputetë që kanë akses në dosjen hetimore disponojnë, sipas tij, “fakte shumë të rënda”, të cilat ende nuk janë bërë publike. Toska pretendoi se Ballukut mund t’i shtohen akuza për vepra të tjera korrupsioni, të lidhura me projektet rrugore Thumanë–Kashar dhe Korçë–Ersekë.
Gazetari bëri të ditur se do të paraqitet personalisht në SPAK për të depozituar një kallëzim penal ndaj Ballukut dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), në lidhje me tunelin e Murrizit në Rrugën e Arbrit. Ai tha se disponon një dokument zyrtar, konkretisht një shkresë të një deputeteje të Partisë Demokratike drejtuar ARRSH-së, ku kërkohen sqarime për shembjet e ndodhura në këtë tunel.
Sipas Toskës, nga përgjigjja e ARRSH-së rezulton se tuneli i Murrizit nuk është dorëzuar ende për kolaudim, ndërkohë që është hapur për qarkullim. Ai e krahasoi këtë situatë me raste të tjera të infrastrukturës së hapur pa kolaudim, duke theksuar se, sipas tij, jeta e qytetarëve që kalojnë aty është në rrezik. Toska deklaroi se tuneli ka kushtuar rreth 149 milionë euro dhe se, bazuar në dokumentacionin që ai thotë se zotëron, do të bëjë kallëzim penal.

Gjatë fjalës së tij, gazetari përmendi edhe segmentin Qukës–Qafë Plloçë, duke thënë se ky aks është shembur dhe se, sipas pretendimeve të disa ekspertëve, ekziston rreziku që të mbyllet sërish për shkak të problemeve strukturore.
Toska ngriti gjithashtu shqetësime për Komisionin e Prokurimit Publik, duke pretenduar se një person i afërt me Ballukun, Irma Droboniku, është emëruar në këtë institucion dhe se po përgatitet për të marrë drejtimin e tij. Sipas tij, kjo përbën shkelje ligjore, pasi, siç pretendon Toska, ajo nuk plotëson kriterin minimal të tre viteve përvojë profesionale.
and then