
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku u prezantua platforma e re ExportOn, një nismë për të forcuar mbështetjen institucionale ndaj eksporteve shqiptare.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se kompanitë shqiptare duhet të përgatiten për sfidat dhe mundësitë që sjell integrimi në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se ata që përshtaten me standardet dhe transformimin do të jenë fitues, ndërsa të tjerët rrezikojnë të mbeten pas. Ai e cilësoi vitin aktual si një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e anëtarësimit në BE.
Kryeministri vuri në dukje rolin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, e cila sipas tij është shndërruar nga një zyrë informative në një mekanizëm mbështetës që monitoron, asiston dhe orienton bizneset, me fokus të veçantë rritjen e vlerës së shtuar në vend dhe promovimin e produkteve “Made in Albania”.
Rama njoftoi mbështetje direkte shtetërore për certifikimet ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si investim strategjik për të përshpejtuar hyrjen e bizneseve shqiptare në tregun e përbashkët evropian. Ai theksoi gjithashtu se qeveria synon ta vendosë eksportuesin në qendër të politikave dhe të zhvillojë më tej marrëdhënien shtet–biznes.
Në fokus të veçantë ishte edhe agro-përpunimi, i cilësuar si prioritet për rritjen e vlerës së shtuar dhe reduktimin e eksporteve të lëndës së parë të papërpunuar. Rama tha se synohet ndërtimi i një rrjeti të konsoliduar të agropërpunimit, pas fazës së grumbullimit në bujqësi.
Ai pranoi se mbeten sfida në logjistikë dhe procedurat eksportuese, duke theksuar nevojën për lehtësimin e korridoreve logjistike për uljen e kostove dhe kohës së transportit. Në përmbyllje, Rama theksoi rëndësinë e investimit në burimet njerëzore, duke e lidhur drejtpërdrejt kualifikimin e stafit me rritjen e performancës dhe fitimit të kompanive.
and then