
Ish-komandanti Artur Meçollari, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka ngritur shqetësime të reja lidhur me projektin turistik të parashikuar në ishullin e Sazanit, duke theksuar rreziqe serioze sigurie dhe problematika ligjore që, sipas tij, e bëjnë projektin të diskutueshëm.
Meçollari deklaroi se në zonën detare përreth Sazanit ndodhen jo më pak se 100 ton municione të pashpërthyera, një trashëgimi e mbetur nga periudha të mëparshme ushtarake, që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për çdo aktivitet turistik apo investim civil. Sipas tij, përpara çdo zhvillimi duhet të ketë një proces të plotë pastrimi dhe sigurie, i cili aktualisht mungon.
Përveç aspektit të sigurisë, ish-komandanti theksoi edhe dobësitë ligjore të projektit. Ai u shpreh se investimi bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, e cila ka status traktati dhe jo thjesht ligji kombëtar. Sipas Meçollarit, neni 73 i kësaj marrëveshjeje përcakton se çdo investim i kësaj kategorie duhet të realizohet përmes një procesi tenderimi, ku përparësi u jepet kompanive europiane.
Duke bërë paralele me raste të ngjashme në rajon, Meçollari përmendi Malin e Zi, ku investimi i biznesmenit Alabbar në Ulqin është në proces anulimi, pikërisht për shkak të shkeljes së nenit 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ai theksoi se në atë rast, presidenti i Malit të Zi doli hapur kundër projektit.
Në kontrast, sipas Meçollarit, në Shqipëri situata ka qenë e kundërt, pasi Presidenti i Republikës jo vetëm që ka miratuar kalimin e pronës, por edhe ligjin përkatës, duke i hapur rrugë projektit. Ai e cilësoi këtë si një veprim problematik që mund të sjellë pasoja ligjore dhe politike në raportet e vendit me Bashkimin Europian.
and then