
Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, reagoi sot për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, e cila duhej të diskutonte kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ajo akuzoi kryeministrin Rama se po përdor Kuvendin për të mbrojtur Ballukun dhe për të ruajtur pushtetin e tij, duke lejuar intimidimin e dëshmitarëve dhe shkatërrimin e provave që SPAK i ka evidentuar. Hoti tha për programin e drekës në News24 se PD ka depozituar kallëzim për shfrytëzim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit lidhur me shtyrjen e mbledhjes. Deputetja e PD-së paralajmëroi protesta të vazhdueshme nga qytetarët ndaj qeverisë dhe luksit të kryeministrit, duke nënvizuar se ende nuk është caktuar data, por aksioni do të përfshijë edhe ambientet pranë zyrës së Ramës.
“Sot Këshilli i Mandateve u anulua. U njoftuam vetëm me një SMS në WhatsApp. Duket se gjithçka ishte e planifikuar nga ai që qëndron pas kësaj skeme, Edi Rama. A po përfiton për të marrë kohë dhe për të zvarritur procedurat? Në Shqipëri nuk ekziston më shteti i së drejtës. Gjykata Kushtetuese, që duhet të ishte garant i Kushtetutës, është kthyer në vegël kushtetuese. Kemi një kryeministër që po mban pushtetin me kusht. Ai e ka kthyer pushtetin në strofull të veprave kriminale. Po shkel Kushtetutën dhe institucionet.
Kjo është një kambanë alarmi për këtë vend, pasi po mbahet peng nga e vërteta dhe nga llogaridhënia. Ishte një mesazh që na njoftonte se mbledhja e caktuar anulohej për një afat të pacaktuar. Madje ne ishim të përgatitur për të qenë pjesë e saj. Mesazhi vinte nga sekretaria e Kuvendit. Po përdorin Kuvendin si strehë për të korruptuarit. Rama po bën çdo përpjekje për të mbrojtur Ballukun dhe për të mbrojtur veten e tij. Pas aferës së tunelit të Llogarasë qëndron firma e Edi Ramës.
Kemi bërë edhe një kallëzim për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. Shtyrja e sotme ishte e pritshme, pasi gjithçka është lënë e hapur nga Rama. Çdo vonesë shërben interesave të Ramës dhe Ballukut, që ajo të vazhdojë të intimidojë dëshmitarët dhe të prishë prova. Ka prova, sipas SPAK, që Balluku ka tentuar të prishë prova dhe të intimidonte dëshmitarët.
Shqiptarët janë në revoltë dhe po organizojnë protesta të vazhdueshme. Ata do të protestojnë ndaj një kryeministri që vazhdon të jetojë në luks të shfrenuar, ndërkohë që qytetarët mezi arrijnë të përballojnë muajin. Do të ketë protesta të vazhdueshme, ende nuk është vendosur data, dhe ato do të zhvillohen edhe pranë zyrës së Ramës.”, tha ajo.
and then