
Në mesin e një krize të brendshme legjitimiteti, pasi drejtësia ka marrë të pandehur zv.kryeministren Belinda Balluku dhe ka ngritur akuza për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI-it, kryeministri Edi Rama po i përkushtohet një axhende diplomatike ndërkombëtare, që sipas ekspertëve shënon një personalizim të mëtejshëm të diplomacisë.
Më 26 janar, kryeministri Edi Rama u prit me duartrokitje në Knesset, parlamenti i Izraelit, ku zhvilloi një takim 2-ditor në fillim të javës.
“Ende nuk jam plotësisht i sigurt që ndodhem vërtetë duke qëndruar pikërisht mbi dyshemenë nën këmbët e mia, dyshemeja prej ku mysafirët më të nderuar të këtij Shteti i janë drejtuar kësaj Dhome. Dhe ndonëse modestia nuk ka qenë kurrë virtyti im më i palëkundshëm, më duhet ta them që e kam të vështirë të besoj se e meritoj një vlerësim kaq të jashtëzakonshëm,” tha Rama në nisje të fjalës së tij.
Por ulja e tij në krah të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, për të cilin Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arrest për krime kundër njerëzimit në nëntor për mijëra viktima civile në luftën në Rripin e Gazës gjatë vitit që shkoi, u prit me pështjellim dhe rezerva në Tiranë.
Një protestë qytetarësh kundër vizitës së Ramës me sloganin “Jo në emrin tim” u shpërnda nga policia të premten para Kryeministrisë, ndërkohë që në krahun opozitar vizita u përcoll kryesisht me heshtje.
I vetmi reagim erdhi nga kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, i cili e cilësoi vizitën si tregues i një mungesë dinjiteti për Shqipërisë, e cila ka ratifikuar traktatin e Romës dhe njeh juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
“Një shtet nuk ka vetëm interesa, ka edhe dinjitet dhe reputacion në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kur humb dinjitetin dhe reputacionin, nuk e ke për gjë pastaj të shkelësh edhe interesat kombëtare, siç kjo qeveri ka bërë vitet e fundit,” deklaroi Qori për ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Vizita e Ramës në Izrael shkaktoi reagime të përziera edhe mes ekspertëve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, të cilët e shohin axhendën e tij ndërkombëtare si përpjekje për personalizimin e diplomacisë, në një kohë kur përballet me probleme në shtëpi.
“Vizita shtetërore në Izrael pikërisht në këtë kohë vjen si përforcim i tezës së diplomacisë personale në kurriz të asaj institucionale dhe të mirëplanifikuar,” thotë Ilir Kalemaj, lektor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Sipas tij, në një kohë kur kryeministri Netanjahu po përballet me akuza penale ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit dhe ka po ashtu në proces çështje penale per korrupsion brenda Izraelit, më serioze do të ishte një vizitë e Presidentit Begaj ose vizita e Ramës të shtyhej për një kohë të mëvonshme.
“Por duket se z.Rama jo vetëm e ka pranuar me kënaqësi ftesën, por po mundohet t’a reklamojë pritjen me protokoll shtetëror në mënyrën me propagandistike të mundshme,” shtoi ai.
Arben Çejku, ish-ambasador dhe drejtor i Qendrës për Qeverisje të Mirë, e vlerëson vizitën e Ramës në Izrael në kontekstin e asaj që i lidh dy vendet dhe është mbi të gjitha një shprehje vlerësimi dhe mirënjohjeje për rolin e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, të cilët mbrojtën hebrenjtë.
„Zhvillimi i kësaj vizite në ditën e përkujtimit të Holokausit, pati një kuptim dhe dimension të veçantë, sepse në fund të fundit, ajo që kanë bërë paraardhësit tanë dekada më parë, duke mbrojtur hebrenjtë, është një histori që na bën krenarë dhe duhet të bëhet e ditur në botë – një histori e tillë lartëson trashëgiminë tonë shpirtërore dhe humanitare,“ tha Çejku.
Nga ana tjetër, ai vlerëson se çdo hap në diplomaci nuk duhet të jetë personal dhe i pakonsultuar.
“Në sfondin e zhvillimeve në Izrael, në Gaza, në Europë dhe më gjerë si dhe në kontekstin e disa specifikave të tjera të marrëdhënieve tona rajonale, mendoj se duhet një konsultim më gjithpërfshirës me faktorët vendas në Tiranë, me qëllim që çdo hap, të studiohet në thellësi dhe, mbi të gjitha të kemi një qëndrim afatgjatë në politikën tonë të jashtme,“ theksoi ai.
Diplomaci personale në kohë krize
Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me procedurë të përshpejtuar një projektligj të dorëzuar nga grupi parlamentar socialist që pranonte anëtarësimin e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump me një tekst model marrëveshje bashkëngjitur që Shtëpia e Bardhë ka shpërndarë për të gjitha shtetet e ftuara në këtë organizatë të re ndërkombëtare.
Edhe pse votoi pro, opozita kontestoi procedurën e ratifikimit e cila u bë pa u firmosur më parë marrëveshja dhe personalizimin e anëtarësimit në këtë bord me emrin e Ramës.
Sipas Kalemajt, diplomacia shtetërore e Shqipërisë është në fakt diplomaci e personalizuar nga Rama gjatë gjithë qeverisjes së tij dhe kjo gjë ndodhi edhe me vendimin për t’u bërë pjesë në nismën për “Bordin e Paqes”.
“Natyrisht, ftesa nuk është personale se aty përfaqësohen shtetet dhe jo individët dhe tentativa për ta personalizuar në maksimum duke vënë dhe emrin e kryeministrit në projektligj është e padëgjuar në analet e diplomacisë dhe ligjvënies dhe duket se synon përftimin e kapitalit të brendshëm politik sesa rolin dhe peshën e Shqipërisë në skakierën ndërkombëtare,” thotë ai.
Kalemaj e sheh këtë akt si një tentativë për t’iu fshehur skandaleve të korrupsionit me të cilët po përballet qeveria “Rama” brenda vendit, të tilla si marrja e pandehur e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku apo akuzat për një grup të strukturuar kriminal në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Gjatë 12 viteve në qeverisje Rama i ka kushtuar një energji të madhe diplomacisë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të qenë atje ku ndodhte një ngjarje apo një aktivitet ndërkombëtar ose duke mundësuar zhvillimin e samiteve europiane në Tiranë, pavarësisht peshës reale që ka një vend i vogël si Shqipëria në arenën ndërkombëtare.
Për një periudhë kohe, Rama vendosi të luante dhe rolin e ministrit të Jashtëm, pasi ish presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e propozuar prej tij si ministër, ndërsa para pak ditësh sulmoi Ministrinë e Jashtme për paaftësi.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin këtë sjellje si një tentativë për ta përdorur diplomacinë për kredenciale personale dhe shfrytëzimin e këtij imazhi si diplomat për konsum të brendshëm politik.
“Kjo i ka sjellë atij vetë një ekspozim ndërkombëtar, marketing gjeopolitik dhe mbështetje që e ka shitur për kapital të brendshëm politik, por pak ka arritur të përfitojë politika e jashtme dhe diplomacia e Shqipërisë,” tha Kalemaj, ndërsa vlerëson se brandi personal i kryeministrit nuk është përkthyer në brandim pozitiv të vendit.
Edhe për Arben Çejkun, politika e jashtme e Shqipërisë prej shumë vitesh ka shfaqur tendencat e një “monopolizimi kryeministror“, i cili ka anashkaluar rolin e Ministrisë së Jashtme, të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit dhe Presidentit, kjo dhe si pasojë e ndryshimeve që u bënë në ligjin për “Shërbimin e Jashtëm“ që e orientuan indirekt gjithë politikën e jashtme tek fuqia përfaqësuese e Kryeministrit.
“Duke përdorur diplomacinë personale, Rama ka arritur disa suksese domethënëse në politikën e jashtme të qeverisë së tij dhe sidomos në ngritjen e profilit të tij si lider,“ tha Çejku, duke e cilësuar Ramën si një nga rastet e pakëta të „një angazhimi entuziast“ të një kryeministri në diplomaci.
Nga ana tjetër, Çejku beson se anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes të inicuar nga Trump është rrjedhojë e qëndrimit natyral të shqiptarëve si proamerikanë. Por ai parashikon që Shqipëria të ketë një rol minimal në këtë organizatë dhe Rama nuk do të ketë ndonjë përfitim të madh personal.
“Lidhur me përfitimet personale dhe politike nga pjesmarrja në këtë Bord, mendoj se ato, edhe nëse janë të tilla, do të jenë të përkohshme, sepse në fund të ditës, qytetarët kanë nevojë të qeverisen mirë, të kenë më shumë drejtësi dhe të realizohet objektivi për anëtarësim në BE,“ thotë ai.
Çejku beson gjithashtu se problemet e brendshme të Shqipërisë nuk do të mund të fshihen nga politika e jashtme dhe se fokusi i brendshëm do të jetë sërish tek drejtësia dhe rezultatet e saj.
“Në fund të fundit, pavarësisht sukseseve të politikës së jashtme apo të asaj që e cilësuam si ‘diplomacia personale‘ dhe lobimi i fuqishëm pranë qendrave të rëndësishme ndërkombëtare si Uashingtoni, Brukseli, Izraeli, Tuqia etj., problemet e brendshme, zhvillimet që lidhen me përditshmërinë tonë, do të jenë përgjigja më reale për çdo premtim që bëjmë jashtë,“ përfundoi ai./ birn
and then