Dy medalje në SHBA, asnjë mbështetje nga shteti. Historia e 15 vjeçarit Loris Qose nga Cerriku

Loris Qose, nxënës i shkollës “7 Marsi” në Cërrik, arriti të fitonte medalje të artë në një konkurs ndërkombëtar matematike në SHBA, ku morën pjesë mbi 300 konkurrentë nga 30 shtete të botës. Falë punës së palodhur me mësuesen e tij, Flutura Hoxholli, Lorisi arriti të fitonte edhe një medalje bronzi në kimi. Në këtë kompeticion, ai ngriti krenar 2 herë flamurin shqiptar në Amerikë.

Ky sukses bëri që Kryeministri Edi Rama, si edhe figura të tjera politike, t’i dedikonin Lorisit statuse falënderimi dhe krenarie. Edhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, priti në zyrën e saj nxënësin dhe mësuesen e tij. Dhurata e ministres për gjeniun e shkollës “7 Marsi” në Cërrik ishte një libër.

***
Por cili është rrugëtimi i Loris Qoses drejt medaljes së artë?

Mësuesja Flutura Hoxholli ka punuar për rreth dy vite me Lorisin, pa asnjë shpërblim financiar, vetëm nga dëshira që nxënësi i saj të arrinte më të mirën. Kur erdhi momenti i pjesëmarrjes në konkursin në SHBA, shpenzimet për biletat e avionit dhe qëndrimin u siguruan përmes kontributeve të njerëzve dhe institucioneve të ndryshme, pas thirrjes së bërë nga mësuesja e matematikës.

Në të njëjtin konkurs ku Lorisi fitoi dy medalje, morën pjesë edhe nxënës nga Kosova. Ata arritën të fitonin plot 6 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 7 të bronzta. Por për këto arritje, në Kosovë ka patur një tjetër qasje institucionale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së falënderimit për nxënësit dhe mësuesit fitues, deklaroi se qeveria kishte akorduar 26 mijë euro për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e tyre në kompeticion. Pas kthimit me medalje, qeveria e Kosovës akordoi edhe 150 mijë euro të tjera si shpërblim.

Ndërkohë, në Shqipëri, nxënësi i shkollës “7 Marsi” në Cërrik, me përpjekjet e tij dhe mbështetjen e vetme të mësueses së matematikës, arriti një sukses të jashtëzakonshëm pa mbështetje konkrete shtetërore.

Nëse shteti shqiptar përtej krenarisë do të mbështeste financiarisht nxënës të tillë, ashtu siç vepron Kosova, medaljet shqiptare në arenën ndërkombëtare me siguri do të ishin edhe më të shumta.

Osman Stafa 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×