“PD duhet të bashkojë bazën, të dëgjojë qytetarët”, Kola: SPAK po i jep armët më të forta opozitës!

Gazetarja Denada Kola, e ftuar në studion e News24, ka komentuar protestën e fundit të Partisë Demokratike si edhe situatën e përgjithshme të opozitës, duke theksuar se përgjegjësia për problematikat në vend nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës.

Sipas Kolës, që prej vitit 2013 Shqipëria qeveriset nga e majta dhe shumica e problematikave kanë ardhur si pasojë e qeverisjes. “Është e thjeshtë të kryqëzojmë opozitën dhe të themi se fajet i ka ajo të gjitha. Prej vitit 2013 qeveria është e majtë dhe problematikat kanë ardhur nga qeverisja”, u shpreh ajo.

Megjithatë, gazetarja pranoi se edhe PD ka pasur probleme të brendshme, ku përçarja ka qenë një nga faktorët kryesorë që e ka çuar opozitën në situatën aktuale. Ajo theksoi se kjo luftë e brendshme ka krijuar nevojën që PD të rimarrë veten, ndërkohë që sipas saj opozitës nuk i jepet hapësira e duhur në Parlament dhe anatemohet sikur të ishte në qeverisje.

Duke folur për protestat, Kola tha se ato janë një nga format e pakta që i kanë mbetur opozitës për të shprehur veten. Ajo kritikoi fokusin e debatit publik te numri i protestuesve, duke vlerësuar qytetarët që vijojnë të dalin në protesta. “Ata qytetarë që vijojnë e dalin në këtë situatë janë për t’u duartrokitur. Kur sheh një realitet që nuk ndryshon, të vjen të bojkotosh çdo gjë”, tha ajo.

Sipas Kolës, PD duhet të dëgjojë më shumë qytetarët dhe të zbresë në terren, pasi ende nuk është e bashkuar në bazë. Ajo e krahasoi funksionimin e PS-së me atë të PD-së, duke theksuar se socialistët funksionojnë si parti sepse janë të rreshtuar dhe të bashkuar.

Ajo sugjeroi se opozita duhet të krijojë një perceptim të përbashkët, të bashkohet rreth një kauze kundër kryeministrit Edi Rama, të ndërtojë një “qeveri hije” dhe të nxjerrë figura krahasuese me ministrat e qeverisë. Sipas saj, një nga armët më të forta që opozita ka sot është SPAK-u, por kjo duhet të kanalizohet në mënyrën e duhur dhe me qartësi politike.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×