
Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te zvarritja e procesit në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin, si edhe te situata brenda Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi.
Sipas Baçit, rasti Balluku përbën një precedent të rëndësishëm institucional, pasi për herë të parë qeveria përballet drejtpërdrejt me Prokurorinë mbi një kërkesë që, sipas mazhorancës, cenon kompetencat e saj. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë shterues dhe me peshë të veçantë, pasi do të përcaktojë raportet mes institucioneve në raste të ngjashme në të ardhmen.
“Do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm, sepse vendos precedent dhe më pas rregullon marrëdhënien e disa aktorëve me njëri-tjetrin. Shpresoj të mos ketë zvarritje për shkak të presioneve të jashtme ndaj Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Baçi, duke shtuar se vonesat në vendimmarrje zakonisht u shërbejnë atyre që kërkojnë më shumë kohë për të sqaruar qëndrimet e tyre, por sipas tij, kjo çështje kërkon zgjidhje.
Duke folur për opozitën, Baçi vlerësoi se ajo nuk ka aktualisht forcën për t’u imponuar ndaj mazhorancës në Parlament dhe se marrëdhëniet e saj me ndërkombëtarët janë thuajse të ngrira. Ai tha se protestat e fundit nuk përbëjnë një revoltë popullore, por mbeten protesta politike.
Sipas analistit, Sali Berisha po kërkon një kanal komunikimi me ndërkombëtarët, duke i parë ata si mjetin e vetëm përmes të cilit opozita mund të ushtrojë presion ndaj mazhorancës. Megjithatë, Baçi vlerësoi se protestat duken të fokusuara më shumë në betejat e brendshme të PD-së, sidomos në prag të zgjedhjeve të brendshme në pranverë, sesa në ndërtimin e një alternative për qytetarët.
Baçi theksoi gjithashtu se Berisha ndodhet në një pozicion të vështirë politik, pasi sipas tij, pas rikthimit në vitin 2021, nuk ka arritur të përmbushë disa nga premtimet kryesore. Ai përmendi bashkimin e opozitës, rrëzimin e qeverisë brenda një afati të shkurtër, respektimin e primareve dhe hapjen e partisë, duke vlerësuar se mosrealizimi i këtyre premtimeve e bën edhe më të vështirë dhënien e llogarisë përpara mbështetësve.
and then