BIRN: Rama në Izrael me avionin privat të sekuestruar nga ish-miliarderi i kriptovalutave

Gjatë vizitës 3-ditore në Izrael midis datave 25-27 janar, kryeministri Edi Rama udhëtoi vajtje e kthim me një avion privat, dikur në pronësi të themeluesit të bursës së kriptovalutave FTX, e cila falimentoi në mënyrë spektakolare në nëntor 2022.

Avionët privatë reaktivë për distanca të gjata, të cilët përdoren nga elitat globale të biznesit dhe politikës, nuk janë thjesht mjete udhëtimi. Ata shërbejnë si një metaforë e hendekut midis njerëzve të pasur dhe të pushtetshëm dhe pjesës tjetër të shoqërisë, e cila pret me durim në terminal për të marrë aeroplanin e linjës.

Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër – ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.

Udhëtimi i fundit i liderit jetëgjatë shqiptar në vizitën shtetërore tre-ditore në Izrael me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u realizua nëpërmjet avionit ‘Bombardier Global 5000’, dikur në pronësi të Sam Bankman Fried, një sipërmarrës amerikan i dënuar për mashtrim dhe pastrim parash.

Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor një avion privat për udhëtimet e tij zyrtare. Për vite me radhë, ai shfrytëzoi një Airbus A319-100 të konfigurimit VIP nga kompania e flamurit ‘Air Albania’, i pagëzuar me emrin ‘Ismail’, në nder të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora.
Përfaqësues të mazhorancës argumentojnë se përdorimi i një “avioni qeveritar” për udhëtime zyrtare nga kryeministri lidhet me “dinjitetin” e shtetit shqiptar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.

Kritikët e Ramës nga radhët e opozitës mendojnë të kundërtën, ndërsa theksojnë se dinjiteti që gëzon një zyrtar publik – qoftë brenda apo jashtë vendit – nuk lidhet me luksin e mjeteve të transportit të përdorura prej tij.

“Dinjiteti i vendit tonë, fatkeqësisht, cenohet përditë e më shumë nga një kryeministër dhe një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, që kohët e fundit u kanë hyrë edhe aventurave gjeopolitike për hir të interesave të ngushta politike,” tha Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë.

I pyetur nga BIRN, Rama e lidhi përdorimin e një avioni privat për udhëtimin e tij në Izrael me çështjen e sigurisë.

“Udhëtimi në Izrael ka pasur edhe elemente të mirëkuptueshme sigurie të veçantë dhe transporti ka qenë pjesë e këtyre elementëve,” tha ai, nëpërmjet një zëdhënëseje. “Shpenzimet nuk janë mbuluar nga qeveria shqiptare,” shtoi Rama, pa specifikuar se kush i kishte mbuluar ato.

Qeveria e Izraelit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN nëse ishte ajo që e kishte paguar fluturimin e kryeministrit shqiptar për në Tel Aviv.

Një vizitë ‘historike’

Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), i tha BIRN se falimentimi i Air Albania erdhi si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm të tregut dhe menaxhimit të dobët të kompanisë.

Ai theksoi se shumë vende i subvencionojnë kompanitë ajrore të “flamurit”, duke u siguruar fluturime pa konkurrencë në disa destinacione, pasi i konsiderojnë ato shtylla të rëndësishme të zhvillimit të turizmit.

“Ndërsa Air Albania u la të konkurronte në një treg shumë të ashpër – ku prezentë janë Wizz Air dhe Ryanair – dhe u detyrua të punonte në një situatë të vështirë,” tha Vathi. “Menaxhimi ishte anadollak, pa vizion dhe pa koncepte,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “pati mungesë vizioni për të krijuar një kompani të suksesshme.”

Ndryshe, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, fajëson qeverinë për falimentimin e kompanisë ajrore të flamurit.

“E konsideroj, së paku, politikisht përgjegjës Edi Ramën,” tha ai, ndërsa rikujtoi se vite më parë kryeministri e trumbetonte themelimin e saj si histori suksesi.

Qori ishte gjithashtu kritik për përdorimin e fluturimeve “charter” nga Kryeministria.

“Përdorimi i çarterave privatë është shpërdorim i shpenzimeve nga buxheti i shtetit vetëm për hir të komoditetit të lëvizjes së një kryeministri, i cili në parim, duhet të ishte kryeshërbyesi i popullit, por në fakt përditë e më shumë ka një stil jetese luksoz, në sinkron me autokratët e të shkuarës dhe të tashmes nëpër botë,” tha ai.

“Luksi është antitezë e demokracisë, e cila, aty ku lulëzon, shkon bashkë me thjeshtësinë në paraqitjen publike të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe me kursimin e shpenzimeve qeveritare,” shtoi ai.

Edhe Xhemollari ishte i mendimit se përdorimi i fluturimeve private nga qeveria shqiptare nuk i bënte nder reputacionit të kryeministrit.

“Justifikimi i [kreut të Kuvendit Niko] Peleshit për ‘përfaqësim dinjitoz’, apo ai i kryeministrit për të reklamuar kompaninë ajrore, tashmë të falimentuar, janë hije propagande për të justifikuar luksin e udhëtimeve me avionë privatë,” tha ai.

“Dinjitoze për një vend të varfër si Shqipëria do të ishte nëse do të udhëtonte si çdo qytetar i kësaj republike, me avionët që përdorin ata që paguajnë taksat në këtë vend, e jo si baron droge apo si drejtues i vendeve diktatoriale,” përfundoi Xhemollari./BIRN



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×