Shqipëri dhe Kosovë, një komb në dy shtete me dinamikat përkatëse zgjedhore

Kosova dhe Shqipëria, një komb, një popull, dy shtete, ndjekin dinamika të ndryshme elektorale pavarësisht ngjashmërive socio-kulturore që konvergojnë. Ky fenomen pasqyron sot qartë dallimin mes një demokracie funksionale dhe një demokracie me defekte strukturore dhe ndërhyrje shtetërore.

Në Shqipëri, që pas zgjedhjeve të para pluraliste në 1991 e deri më sot, janë aplikuar disa sisteme të ndryshme zgjedhore. Në zgjedhjet e 31 Marsit 1991, u aplikua sistemi mazhoritar që ishte sistem i konkurrimit të drejtpërdrejtë ndërmjet kandidatëve të partive politike apo kandidatëve të pavarur. Ky sistem prodhoi parlamentin e parë të votuar pas diktaturës komuniste, me lidhje të drejtpërdrejtë nëpërmjet zgjedhësve dhe përfaqësuesve. Duke filluar nga 1992 u implementua sistemi i përzier, një sistem i kombinuar i sistemit mazhoritar me atë proporcional, ku 100 deputetë zgjidheshin drejtpërdrejt nga sistemi mazhoritar, ndërsa 40 të tjerë plotësoheshin me anë të atij proporcional. Më vonë u implementua sistemi proporcional, që u mendua si një shans për të gjithë faktorët politikë për të kapërcyer pragun e pranueshëm elektoral me qëllim përfaqësimin në Parlament. Në vitin 2009 dhe 2017 në Shqipëri aplikohet sistemi proporcional rajonal i mbyllur, me prag zgjedhor 3% për partitë dhe 4% për koalicionet politike. Në 2021 sistemi proporcional me thyerje herësi, dhe në 2025 ai proporcional me lista të mbyllura dhe lista të hapura.

Tipari më i dukshëm i sistemeve elektorale të zbatuara në Shqipëri këta 30 vjet është ndryshimi sistematik i tyre. Që nga dhjetori 1990, kur mori jetë pluralizmi politik shqiptar, janë mbajtur plot 11 procese zgjedhore parlamentare. Sot Shqipëria është e ndarë në 12 zona elektorale (qarqe) me numër variabël te deputetëve në sajë të popullsisë, ku subjektet konkurojnë me dy lista, një listë të mbyllur (një e treta e vendeve) dhe një listë të hapur (dy të tretat e vendeve), bazuar pra në sistemin zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura dhe të hapura.

Në anën tjetër, Kosova përdor një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura, që synon përfaqësim sa më të drejtë të votës së qytetarëve në Parlament. Vendet në Kuvend ndahen në përputhje me numrin e votave që partitë politike marrin në nivel kombëtar. Ky sistem favorizon përfshirjen e një game të gjerë subjektesh politike, duke garantuar pluralizëm dhe përfaqësim të grupeve të ndryshme etnike dhe politike si kriter thelbësor të stabilitetit në vend dhe rajon. Nëpërmjet tipologjisë së këtij sistemi, zgjedhësi gëzon fuqi të konsiderueshme, sa ç’gëzon edhe përgjegjësi me më shumë peshë për zgjedhjet e tij dhe pasojat e tyre politike. Ai zgjedh partinë dhe 10 kandidatë sipas preferencës së tij.

Një aspekt tjetër është pragu zgjedhor prej 5%, i cili ndihmon në ruajtjen e një balance midis pluralizmit politik dhe efikasitetit qeverisës. Teksa sistemi proporcional është një avantazh për partitë e vogla, pragu zgjedhor ndihmon në shmangien e fragmentimit të tepruar politik dhe në krijimin e koalicioneve të qëndrueshme qeveritare.

Si një shtet që ka shpallur pavarësinë e tij në vitin 2008, Kosova nuk ka ngurruar të ndërrojë qeveri dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme kur kanë lindur kriza apo mosmarrëveshje ndër-partiake, por edhe parlamentare. Në vetëm 18 vite, Kosova ka pasur 7 qeveri të ndryshme, indikator që tregon për mënyrën se si vlerësohet në radhë të parë përgjegjësia e përfaqësimit, e në të njëjtën kohë debati, kritika dhe dakordësia për të mos rënë gjithmonë dakord.

Cili është sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë dhe cilat janë elementet e Kosovës që mund të adoptohen?
Çka është e rëndësishme të theksohet, është se nuk ka një sistem elektoral që të aplikohet e të garantojë maksimalisht gjithë dimensionet ideale të një shteti, kështu që zgjedhja duhet të reflektojë një kompromis për interesat më themelore të shoqërisë dhe jo vetëm të partive politike, cilado qofshin ato.

Vëmë re një kontrast të dukshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, parimet demokratike në këtë të fundit rezultojnë më funksionale. Në fakt, sistemi elektoral i është përshtatur më së miri dinamikave të shtetit dhe modelit qeverisës së tyre, duke implementuar një model zgjedhor, arkitektura e së cilit e kufizon ndërhyrjen e shtetit në sistemin elektoral dhe garanton një ndarje të qartë midis pushtetit shtetëror dhe garës politike. Institucionet shtetërore mbahen të distancuara nga zgjedhjet, administrata publike nuk instrumentalizohet politikisht dhe gara elektorale zhvillohet në kushte më të barabarta. Në kontekstin shqiptar vërehet e kundërta: ndërhyrja e shtetit në zgjedhje ka deformuar konkurrencën demokratike duke krijuar një nyje që shtrëngohet gjithnjë e më fort në procesin elektoral.

Edhe pse një shtet i ri me një situatë gjeopolitike të tensionuar, Kosova ka hedhur menjëherë hapa të rëndësishëm dhe i ka mbetur stoike idealizmit se qytetari vendos, qytetari zgjedh. Prej 18 vitesh, listat e hapura kanë edukuar qytetarët për rëndësinë dhe unanimitetin e votës, për një votë që nuk futet në një thes me të tjerat, por që identifikon në mënyrë të drejtpërdrejtë një kastë zërash që do t’i përfaqësojnë në Kuvend.

Një tjetër karakteristikë e rëndësishme në dinamikën elektorale të Kosovës është fakti se kur ka mosmarrëveshje apo mosbesim nga Parlamenti, qeveria paralizohet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, skena politike shqiptare karakterizohet nga dy parti të mëdha, ku njëra ka respektuar parimin e rotacionit pas dy mandatesh, ndërsa tjetra ka ndjekur strategji për ruajtjen e pushtetit me çdo mjet. Absurditeti më i madh në një demokraci, por imazhi i normalitetit në një autokraci, qëndron në faktin se, zgjedhje pas zgjedhjeje, partia në pushtet fiton më shumë mandate se herën e mëparshme. Pra, ndryshe nga Kosova, që në kohë krize i rikthehet bazës së demokracisë, votës së lirë për të vendosur, në Shqipëri krijohet iluzioni i kësaj të fundit me anë të represionit dhe propagandës që mundohen të bindin qytetarin se nuk ekziston alternativë tjetër, se ai është i paaftë për të ndikuar realisht, se është i detyruar të ndjekë rrjedhën i qetë dhe të pranojë fatin e tij të vendosur nga një grup njerëzish që ai vetë ka zgjedhur. Një dallim kaq i madh ky në dy shtete fqinje që i përkasin të së njëjtës etnie, ku njëri i mëson tjetrit se populli nuk duhet të ketë frikë nga qeveria e tij, por qeveria duhet të ketë frikë nga populli që e ka zgjedhur.

Duke marrë shembull nga Kosova për ta përshtatur sistemin elektoral me dinamikat politiko-shoqërore në Shqipëri, propozimi i një sistemi mazhoritar do të ishte instrumenti parësor për rritjen e demokracisë dhe mbrojtjen e zgjedhjeve nga ndikimi shtetëror. Madje përvoja e mëparshme politike ka treguar se ky sistem ka funksionuar si një mekanizëm më demokratik, më transparent për përzgjedhjen e kandidatëve dhe përfaqësimin e qytetarëve.

Në praktikën e Partisë Demokratike, procesi i atëhershëm i përzgjedhjes së kandidatëve në sistemin mazhoritar, por jo vetëm, realizohej përmes një balance institucionale brenda partisë që fuqizonte ndikimin e strukturave: Kryesitë e degëve propozonin emrat për zonat elektorale, ndërsa vendimmarrja finale i përkiste Këshillit Kombëtar. Ky model krijonte një filtër demokratik të brendshëm, duke shmangur emërimet arbitrare dhe duke garantuar një nivel legjitimiteti politik për kandidatët që përfaqësonin zonat e caktuara. Parë nga një këndvështrim më i gjerë, tradita politike e së djathtës në Shqipëri ka dëshmuar një aftësi më të madhe për të identifikuar dhe promovuar figura me integritet, me rëndësi të veçantë në garat mazhoritare, ku pesha e individit dhe raporti i drejtpërdrejtë me zgjedhësin përkthehen si faktorët vendimtarë.

Nëpërmjet ketij sistemi sigurohet një formë kontrolli kolektiv dhe shmanget përqendrimi absolut i pushtetit në duart e një individi apo një rrethi të ngushtë drejtuesish. Në kontrast me sistemin aktual proporcional me lista të mbyllura apo gjysmë të hapura, ku renditja e kandidatëve përcakton fatin politik të tyre, sistemi mazhoritar i jep peshë reale votës së qytetarit dhe garës në terren. Rikthimi i sistemit mazhoritar me një ndarje të qartë territoriale në zona elektorale do të kontribuonte gjithashtu në decentralizimin e politikës, duke e afruar pushtetin vendimmarrës me qytetarin. Gjithashtu, ky model do të reduktonte fenomenin e deputetëve “pa zonë” dhe do të forconte përfaqësimin e interesave lokale në Kuvend, duke e kthyer Parlamentin në një hapësirë më pluraliste dhe më të ndërlidhur me realitetin shoqëror. Së fundmi, vendosja e një sistemi mazhoritar do të përbënte një hap të rëndësishëm për zhvillimin e procesit elektoral në Shqipëri, duke krijuar perspektivë për derivatët e tij të mundshëm, siç është sistemi mazhoritar i korrigjuar, i cili synon të optimizojë akoma më shumë dualitetin “qeveri-përfaqësim politik”.

Në një kontekst ku zgjedhjet në Shqipëri vazhdojnë të mbeten të kontestuara dhe besimi i qytetarëve te procesi demokratik është i ulët, sistemi mazhoritar nuk duhet parë thjesht si një formulë teknike zgjedhore, por si një rrugëzgjidhje politike për rivendosjen e balancave demokratike, kufizimin e ndikimit shtetëror dhe rikthimin e sovranitetit të votës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×