
Për shkak të mosarritjes së kuorumit prej 5 votash në favor të kryeministrit kërkesa e Edi Ramës për shpalljen si antikushtetues të vendimit të GJKKO që pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese mbrëmjen e së premtes. Kushtetuesja vendosi të heqë masën e përkohshme të marrë mbledhjen e 12 dhjetorit 2025, duke rikthyer masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun. News 24 mësoi se gjyqtarët kushtetues, Marjana Selimi, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji dhe Sandër Beci votuan në favor të kërkesës së kryeministrit. Ata shprehën qëndrim se SPAK duhet të kërkonte autorizim në Kuvend për masën e ushtrimit nga pezullimi nga ushtrimi i funksioneve të Belinda Balluikut, duke e motivuar këtë me faktin se ministri gëzon të drejtat njësoj si deputeti.
Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi, Ilir Toska dhe Gent Ibrahimi të cilët ngritën kartonin kundër qeverisë, shprehën qëndrimin se për këtë masë ndaluese, siç është pezullimi nga ushtrimi i funksioneve, nuk ka nevojë për marrjen e lejes nga Kuvendi, duke e lidhur këtë me ndryshimet kushtetuese të 2012 që zvogëluan imunitetin e deputetit. Fakti që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e konsideroi si antikushtetues vendimin e gjyqtarit Erjon Çela për rastin Balluku, kjo nënkupton se SPAK mund të bëjë kërkesa në vijim për pezullimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Gjykata mund të vendosë pezullimin e një ministri apo funksioni publik, por kurrsesi një deputet apo të zgjedhur vendor. Për faktin se Kushtetuesja nuk dha një përgjigje të prerë lidhur me këtë çështje, gjasat janë që shtrojë sërish për diskutim, por mbi bazën e një ankimi individual të bërë nga Belinda Balluku, e cila sipas ligjit ka të drejtën dhe e ka bërë tashmë, përmes ankimimit të vendimit të GJKKO. Apeli pritet të shqyrtojë atë pjesë të vendimit që lidhjet me pezullimin, pasi e la pa shqyrtuar atë pjesë të ankimit të Ballukut, derisa të shprehej kushtetuesja. E pandehura Balluku, për abuzime me tendera në miliona euro, do të ndjekë rrugën normale gjyqësore duke bërë rekurs në gjykatën e Lartë e mandej në Kushtetuese. Ndonëse do të duhet një kohë relativisht e gjatë, Kushtetuesja do të duhet ti japë përgjigje të njëjtës pyetje që ngriti kryeministri; a ndërhyri GJKKO në kompetencat e ekzekutivit teksa pezulloi Ballukun? Por përballë nuk do të kenë Kryeministrin, Kuvendit dhe Presidentin, por Belinda Ballukun.
and then