Balluku e pezulluar/ “Qeveria është zhveshur nga çdo normë morale”, Noka: Aq shumë u shijoi pushteti, sa bastarduan çdo moral!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i ftuar në studion e emisionit “Studio24” në News24, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me çështjen Balluku. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur deputetja është pezulluar nga detyra si zv/kryeministre dhe ministre, ndërsa SPAK vijon procedurat për kërkesën e arrestimit të saj në Kuvend.

Sipas Nokës, situata aktuale është dëshmi e një degradimi të thellë moral dhe etik brenda qeverisë, ku, sipas tij, ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie politike.

“Në këtë qeveri ka humbur çdo lloj norme morale dhe etike dhe ajo është zhveshur nga çdo marrje përgjegjësie. Nuk ndodh në një qeverisje demokratike që drejtuesit të jenë kaq të shkëputur nga normat morale,” u shpreh Noka.

Ai theksoi se në vendet demokratike të Europës, dorëheqja është një akt normal përgjegjësie, edhe kur përgjegjësia lidhet me veprimet e vartësve.

“Në çdo vend të Europës, për një përgjegjësi të një vartësi, një drejtues jep dorëheqjen moralisht. Këtu shohim vetëm kacavjerrje pas pushtetit dhe karriges,” deklaroi sekretari i përgjithshëm i PD-së.

Noka akuzoi mazhorancën se e ka shndërruar pushtetin në qëllim në vetvete, duke humbur, sipas tij, misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe interesit publik.

“Këta e kanë shijuar aq shumë pushtetin sa kanë bastarduar çdo moral dhe normë. Për ta pushteti është plaçkë, jo përgjegjësi apo detyrim ndaj qytetarëve,” tha ai.

Më tej, Noka akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën se përdorin mekanizma të paligjshëm për të qëndruar në pushtet, duke përmendur blerjen dhe shantazhimin e votës.

“Duhet të kuptohet pse në Shqipëri Rama dhe banda e tij e pushtetit blejnë dhe shantazhojnë vota dhe përdorin çdo mekanizëm për të qëndruar në pushtet,” u shpreh ai.

Sipas Nokës, degradimi moral i kupolës së pushtetit po reflektohet edhe në institucionet e tjera të shtetit, duke sjellë pasoja të rënda për shoqërinë dhe demokracinë.

“Ky degradim moral dhe shoqëror po imponohet në çdo segment të shtetit dhe sjell destabilizimin e shoqërisë dhe të vendit. Demokracia ekziston vetëm në letra. Në këtë vend ka dhënë shpirt demokracia dhe po instalohet autokracia,” përfundoi Noka.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×