
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në foltoren e mbajtur këtë të hënë para Kryeministrisë, deklaroi se qeveria aktuale ka humbur çdo legjitimitet dhe se protestat qytetare janë të ligjshme dhe të domosdoshme.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te zhvillimet e fundit në raport me Bashkimin Europian, duke deklaruar se Kryeministri Edi Rama, në mbrojtje të asaj që ai e cilësoi si korrupsion qeveritar, ka vendosur të ndërpresë rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
“Dy ditë më parë ai u ftua në Bruksel për të diskutuar mbi shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve dhe ndëshkimin e korrupsionit. Por para nisjes, së bashku me Lubinë, i dërguan Europës mesazhin se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për varfërimin e shqiptarëve gjatë 13 viteve të fundit, duke theksuar se vendi renditet me pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në varfëri ose në rrezik varfërie.
Sipas Berishës, protestat janë të ligjshme ndaj një qeverie që, sipas tij, vjedh qytetarët çdo ditë dhe po shkakton largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Ai theksoi se kjo situatë po “shkreton kombin” dhe po i mbyll Shqipërisë perspektivën europiane.
Në përfundim, kreu i PD-së bëri thirrje për vijimin e protestave dhe për përfshirjen e çdo qytetari në kundërshtimin ndaj qeverisë.
Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, por edhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetare dhe qytetarë guximtarë, njerëz të sakrificës që për të mbrojtur të vërtetat që besoni, protestoni këtu çdo të hënë dhe jo vetëm për veten tuaj,për familjen tuaj, por jeni zëdhënës të mbarë shqiptarëve.
Jeni zëdhënës të qytetarëve të lirë dhe në këtë aspekt jeni frymëzim për çdo shqiptar!
Të dashur miq, motivet e protestës sot janë të pafundme.
Qeveria ka humbur çdo legjitimitet.
Ajo është fryt i farsës elektorale, i shkelmimit mbi vullnetin tuaj, mbi votën tuaj.
Ajo është fryt i krimit monstruoz të përmasave evropiane dhe botërore, karteleve më të zeza të drogës që helmojnë çdo ditë me mallin e tyre, me të cilin pasurohet, fëmijët e Europës dhe jo vetëm.
Protesta është e ligjshme ndaj një qeverie që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedh qytetarët e saj.
Një qeveri që nuk ka asnjë legjitimitet dhe duhet shporrur një ditë e më parë.
Protesta është e ligjshme, është jetike kundër një qeverie, e cila në 13 vite varfëroi çdo vit e më shumë shqiptarët.
Në 13 vite, ajo bëri që ata sot të jenë qytetarët më rrogëulët dhe me pensionet më të ulëta në rajon.
Ajo bëri me vjedhjet që bëri, që gjysma e tyre të jenë në varfëri ose rrezik varfërie.
Gjysma e tyre të mos ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre.
Protesta është e ligjshme e cila në një farë mënyrë po shkreton këtë komb sa asgjë tjetër në historinë e tij nga vitet 1300 gjer sot.
Po i largon shqiptarët nga Shqipëria.
Por sonte ne jemi këtu për të bërë thirrje për protestë çdo shqiptari, edhe për zhvillimin dramatik që Edi Rama në mbrojtje të vjedhjeve të tij, ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Europës.
Ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës.
Miq, dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sot, shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit.
Para se të nisej, së bashku me Lubinë bënë mbledhjen e grupit parlamentar dhe në një sfidë të hapur, në një sfidë që tejkalon çdo lloj standardi, i dërguan Europës mesazhin se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim.
and then