“Rama rrezikon më shumë se humbjen e karriges së kryeministrit”, Erald Kapri: Procesi i integrimit evropian do të ndalojë nëse ndryshohet ligji

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të kundërshtuar pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, masë e vendosur me kërkesë të SPAK.

Sipas Kaprit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese shënon një fazë të re në raportin mes politikës dhe drejtësisë në vend. Ai u shpreh se kryeministri është i vetëdijshëm se përballja me drejtësinë mund të ketë pasoja më të rënda sesa thjesht humbja e postit.

“Rama e kupton se mund të përfundojë më keq se humbja e karriges së kryeministrit. Ai do të përpiqet të fitojë kohë dhe do të bëjë përpjekjet e tij”, deklaroi Kapri.

Deputeti theksoi se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, drejtësia ka hyrë në një fazë ku vepron pa dallim pozite apo emri. “Kemi hyrë në një hapësirë ku drejtësia nuk mbyll sytë përballë askujt, por vepron”, tha ai, duke shtuar se kryeministri ka nisur tashmë betejën e tij, duke sulmuar gjyqtarët dhe duke mbrojtur hapur Belinda Ballukun.

Duke komentuar paralajmërimet e Ramës për ndryshime ligjore, Kapri paralajmëroi pasoja të rënda për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. “Nëse shkohet drejt ndryshimit të ligjit, do të kemi një stopim të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Në këtë situatë, na takon të gjithëve të bëjmë një betejë, pavarësisht numrave që kemi në Parlament”, u shpreh ai.

Kapri shtoi se, sipas tij, Rama ka humbur legjitimitetin politik, pavarësisht shumicës parlamentare. Ai solli si shembull standardet politike në vendet perëndimore, duke krahasuar situatën në Shqipëri me rastet e dorëheqjeve për përgjegjësi morale në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në Britani flitet për dorëheqjen e kryeministrit vetëm për shkak të një emërimi problematik, ndërsa këtu nuk flasim më për standard moral, por jemi gati t’i themi ‘ndal’ edhe Perëndimit”, tha Kapri.

Në përfundim, deputeti i Partisë Mundësia theksoi se shumica e qytetarëve shqiptarë mbështesin drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. “75% e shqiptarëve mbështesin drejtësinë dhe luftën ndaj të korruptuarve. Ne jemi në krah të tyre për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Jemi në një moment të ngjashëm me vitin 1990, kur njerëzit kuptuan se nuk mund të vazhdohej më kështu. Sot korrupsioni është pengesa kryesore e zhvillimit tonë”, përfundoi Kapri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×