
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me qëndrimin e Komisionit Europian mbi trajtimin e kërkesave për heqjen e imunitetit të deputetëve, duke e cilësuar atë si një thirrje të qartë për autoritetet shqiptare që të mos pengojnë drejtësinë.
Në një deklaratë publike, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike përshëndeti qëndrimin e Komisionit Europian dhe shprehu mirënjohjen për nxitjen që i bëhet institucioneve shqiptare për të vepruar pa vonesa në raport me kërkesat e drejtësisë.
Sipas Bardhit, deklarata e Komisionit Europian, ku theksohet se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij dhe se lufta kundër korrupsionit është thelbësore për procesin e integrimit europian, përbën një apel të drejtpërdrejtë për Kryetarin e Kuvendit.
“Ky është një apel i qartë që Kuvendi të mos shndërrohet në pengesë për drejtësinë dhe të përmbushë përgjegjësinë e tij kushtetuese”, theksohet në reagimin e Bardhit.
Ai akuzoi Kryetarin e Kuvendit se për tetë javë me radhë ka vepruar, sipas tij, kundër drejtësisë, duke zbatuar urdhra politikë të kryeministrit Edi Rama. Bardhi deklaroi se Kuvendi po përdoret si “bunker i korrupsionit qeveritar”, duke penguar hetimet dhe veprimet e institucioneve të drejtësisë.
Në përfundim, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së ritheksoi se momenti aktual është vendimtar dhe se Kryetari i Kuvendit duhet të bëjë zgjedhjen e tij. “Sot është momenti për të zgjedhur: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”, përfundoi Bardhi.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike përshëndet qëndrimin e Komisionit Europian dhe shpreh mirënjohjen për nxitjen e autoriteteve shqiptare që të mos pengojnë drejtësinë.
Qëndrimi i Komisionit Europian që: “Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë PA VONESË kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, është një apel i drejtëpërdrejtë për Kryetarin e Kuvendit.
Për fat të keq, Kryetari i Kuvendit për 8 javë me rradhë ka qenë në krye të frontit kundër drejtësisë, sipas urdhrit politik të Edi Ramës për ta shndërruar Kuvendin në bunker të korrupsionit qeveritar. Ripërsërisim qëndrimin tonë që sot është momenti që Kryetari i Kuvendit të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë!
and then