
Një efektiv policie dhe një punonjës i një biznesi u përplasën fizikisht paraditen e kësaj të hënë në zonën e quajtur “Malajziani” në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se konflikti ka nisur pasi punonjësit e një lokali i kanë kërkuar efektivit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit të tyre, duke pretenduar se po pengonte zonën e shërbimit.
Debati mes palëve është tensionuar me shpejtësi, duke kaluar nga përplasje verbale në nxjerrjen e armës nga ana e policit.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duket momenti kur polici i nxjerr armën e shërbimit djalit me të cilin është në konflikt, teksa të pranishëm ka edhe persona të tjerë, përfshirë edhe një 2 gra.
Efektivi është marrë në pyetje dhe ka deklaruar në AMP se ka qenë rastësisht në vendngjarje dhe nuk i njihte personat më përpara. Sipas tij, fillimisht ka pasur frikë se mos i marrin armën dhe ka reaguar duke e nxjerrë nga brezi.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim, ndërsa polici, i cili rezulton të jetë i punësuar në Policinë e Tropojës, po hetohet në gjendje të lirë.
Hetim disiplinor për efektivin e policisë ka nisur edhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
and then