Kreu i Doganave, Besmir Beja pret homologun nga Kosova: Sisteme të përbashkëta digjitale dhe procedura më të shpejta, për të lehtësuar tregtinë mes 2 vendeve

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, priti sot Drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, takim i cili shënoi edhe takimin e parë zyrtar të Drejtorit të Përgjithshëm që prej marrjes së detyrës. Gjatë bashkëbisedimit, drejtuesit e dy institucioneve vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin e konsoliduar ndër vite ndërmjet Doganës Shqiptare dhe asaj të Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim ka qenë i qëndrueshëm, konstruktiv dhe në rritje të vazhdueshme, me rezultate konkrete dhe të matshme në disa sektorë të rëndësishëm për tregtinë dhe ekonominë e të dy vendeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Beja, theksoi se proceset e digjitalizimit të shërbimeve doganore mbeten një prioritet strategjik për Administratën Doganore Shqiptare, pasi kontribuojnë në rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj bizneseve.

Ai nënvizoi se shkëmbimi elektronik i të dhënave dhe avancimi i sistemeve të përbashkëta digjitale do të vijojnë të jenë në fokus, në funksion të përshpejtimit të proceseve, forcimit të kontrollit dhe luftës kundër paligjshmërisë.

Prezenca e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit u vlerësua nga të dy palët si një vlerë e shtuar strategjike, e cila ka kontribuar drejtpërdrejt në lehtësimin e procedurave doganore, rritjen e efikasitetit operacional dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe operatorët ekonomikë në të dy anët e kufirit.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, vlerësoi se hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit përbën një arritje të jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, pasi mundëson përpunim më të shpejtë të mallrave, kursen kohë dhe ul ndjeshëm kostot për bizneset, duke rritur konkurrueshmërinë e tyre dhe duke krijuar lehtësi konkrete për operatorët ekonomikë kosovarë.

Në këtë kuadër, u theksua se procedurat e përshpejtuara dhe funksionimi i pikës unike “One Stop Shop” në Morinë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e volumit tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe në rritjen e fluksit të pasagjerëve, duke reflektuar drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Lehtësitë procedurale dhe ulja e kostove janë ndjerë konkretisht nga bizneset dhe tregtarët, çka ka sjellë reduktim të kohës së pritjes, ulje të kostove financiare dhe rritje të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët të Doganës Shqiptare dhe Doganës së Kosovës për të vijuar iniciativa të përbashkëta që synojnë lehtësimin e tregtisë, rritjen e sigurisë dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të dy vendeve.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×