
Pas aksidentit të frikshëm të dielën në garën e zbritjes, Lindsi Von e ka kaluar natën në repartin e kujdesit intensiv pasi iu nënshtrua një operacioni për frakturë të femurit në këmbën e majtë, në spitalin e Trevizos, rreth 127 kilometra larg Kortinës.
Skiatorja amerikane ishte transportuar me helikopter nga pista “Olympia delle Tofane” pas një rënieje të tmerrshme që ndodhi që në fillim të garës, kur u përplas me një nga portat dhe humbi ekuilibrin. Fillimisht ishte parashikuar të hënën spitali të publikonte një buletin të ri mjekësor në orën 12:00, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë, kanë dalë në pah detaje të reja mbi gjendjen e saj. Sipas mediave italiane, fraktura ka kërkuar një ndërhyrje të dyfishtë kirurgjikale, ku kanë marrë pjesë kirurgë ortopedë dhe plastikë.
Operacioni u krye nga një ekip mjekësor vendas, ndërsa mjeku personal i skiatores ishte i pranishëm gjatë ndërhyrjes. Qëllimi i operacioneve ishte parandalimi i komplikacioneve të lidhura me inflamacionin dhe qarkullimin e gjakut. Pamja e Von, e cila në moshën 41-vjeçare ka një histori të gjatë dëmtimesh, e shtrirë mbi borë dhe duke bërtitur nga dhimbja, vazhdon të jetë një nga temat më të komentuara këto ditë pas garës olimpike.
Një nga pyetjet që shtrohen më shpesh është pse ajo rrezikoi të garonte me ligamentin e kryqëzuar të këmbës së majtë të këputur, dëmtim që e kishte pësuar dhjetë ditë më parë në Kupën e Botës në Krans-Montana, duke pasur ndërkohë edhe gjurin e djathtë me protezë titani, dhe pse askush nuk e ndaloi. Një ditë para garës, Von iu përgjigj kritikëve që pyesnin pse po rrezikonte të garonte me ligamentin e këputur dhe gjurin tjetër prej titani.
“Përgjigjja është e thjeshtë: më pëlqen jashtëzakonisht shumë të garoj në ski. Nuk po kërkoj vëmendje apo para. E di që shanset janë kundër meje për shkak të moshës, mungesës së ligamentit dhe një gjuri prej titani, por unë ende besoj. Dhe zakonisht, kur shanset janë më shumë kundër meje, nxjerr më të mirën nga vetja. Edhe pse nuk mund të garantoj një rezultat të mirë, mund të garantoj se do të jap gjithçka që kam. Çfarëdo që të ndodhë, unë tashmë kam fituar. Unë besoj”, deklaroi Von.
and then