
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka sqaruar motivet dhe objektivat e pjesëmarrjes së selisë blu në tryezën e Forumit për Dialog Politik, të organizuar nga Ermal Hasimja.
I ftuar në studion e News24, Alimehmeti theksoi se opozita ka nevojë për dialog politik me qëllim unifikimin e qëndrimeve, në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të parakohshme.
Ai pranoi gjithashtu se deri më tani ka munguar një dialog i mirëfilltë politik mes partive dhe faktorëve të opozitës, duke e cilësuar këtë periudhë si jo të qetë për këtë kamp politik.
“Mirëpresim një dialog mes palëve që është i nevojshëm. Sepse vijmë nga një periudhë e gjatë kohore ku dialogu nuk ka qenë konstruktiv. Ndaj tani vijmë nga një dialog politik te ai konstruktiv. Ne e mbështesim forumin e tryezës për dialog politik, për shumë çështje. Nga mbështetja e drejtësisë, te zgjedhjet e lira. Dhe si arrihet kjo? Me përballje të vazhdueshme dhe jo vetëm me fjalime. Unë dhe Luçiano Boçi kemi qenë në tryezë si përfaqësues të PD-së”, shpjegoi ai.
Më tej Alimehmeti akuzoi mazhorancën për vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit, e faktuar sipas tij edhe në raportin e ODIHR. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se i grabiti 83 mandate, pasi edhe BE i është kthyer kundër dhe situata në Shqipëri mbetet kaotike.
“Çfarë zgjedhjesh të lira bëri Edi Rama, çfarë programi pati? E thotë edhe raporti i OSBE-ODIHR. As pensionet nuk u rritën dhe as pasaporta evropiane nuk u dha, që nga rasti i fondeve të IPARD, apo fondet e SASPAC të Ilir Beqjas, të gjitha këto ikën, i hoqi BE-ja. AKSHI më i fundit, pra BE i ka hequr këto dhe po merret me të tjera. Nuk janë 83 mandate të fituara, por të grabitura”, vijoi Alimehmeti.
Ai nënvizoi se për këto rrethana, faktori opozitar tani po vjen drejt unifikimit dhe dialogut edhe nëpërmjet tryezave që po mbahen, siç ishte ajo më e fundit, ku dëgjohen të gjitha palët dhe arrihet në një qëllim të përbashkët.
“Vendi ka nevojë për vlera perëndimore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këto shkaqe ne kemi unifikuar edhe qëndrimet tona, që të bëhemi bashkë”, tha ai.
Alimehmeti u shpreh se ishte një hap shumë i mirë që i shërbente qëllimit, duke vlerësuar edhe faktin se vëmendja kryesore mbetet edhe tek Reforma Zgjedhore dhe Kodi Elektoral.
and then