
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka reaguar në lidhje me procedimin penal ndaj tij për protestën e fundit të opozitës, duke theksuar se në atë kohë ndodhej në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këlliçi u shpreh se e konsideron veten shënjestër të mazhorancës dhe e cilësoi procedimin si një sulm politik. Sipas tij, ai kishte udhëtuar drejt SHBA-së përpara se të caktohej data e protestës dhe nuk ka qenë fizikisht i pranishëm në Shqipëri në ditën e zhvillimit të saj.
“Kam qenë në SHBA përpara se të caktohej data e protestës. Nuk e kam ditur fare datën dhe nuk kam pasur mundësi të gjej biletë për t’u kthyer një ditë më parë nga Michigani, pasi nuk kishte fluturime. Madje e kam pasur peng që nuk isha në protestë”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat pranoi se ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në protestë dhe ka pasur komunikime me mbështetës të PD-së, por e cilësoi këtë si aktivitet normal politik, të cilin, sipas tij, e ushtron prej 13 vitesh në opozitë.
“I ftoj ta çojnë dosjen ndaj meje në SPAK. Çdo zyrtar që pretendon se ka qoftë edhe indicien më të vogël për shkelje ligji nga ana ime, le të më vërë para përgjegjësisë. Por nëse bëhen goditje politike si kjo, jo vetëm që nuk më zmbrapsin, por do të jem në rresht të parë në protestën e 20 shkurtit”, u shpreh Këlliçi.
Ai e cilësoi si “qesharak” nivelin e procedimit dhe akuzoi mazhorancën dhe institucionet për përdorim politik ndaj zërave kundërshtarë të qeverisë.
and then