Balliu nga Konferenca e Sigurisë në Mynih: Qeveria po e lë Shqipërinë të pambrojtur në hapësirën digjitale

Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare, Klevis Balliu, mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua mbi rëndësinë jetike të sigurisë kibernetike në nivel global dhe sfidat me të cilat përballen shtetet në epokën digjitale. Gjatë këtij forumi ndërkombëtar, Balliu ngriti shqetësimin për gjendjen alarmante të sigurisë kibernetike në Shqipëri, duke theksuar se ky sektor strategjik po neglizhohet dhe po keqmenaxhohet nga qeveria.

Ai deklaroi se siguria digjitale sot është një shtyllë themelore e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shteteve, ndërsa mungesa e profesionalizmit, konfliktet e interesit dhe investimet minimale po e bëjnë vendin të cenueshëm ndaj rreziqeve serioze. Sipas Balliut, buxheti për sigurinë kibernetike në Shqipëri mbetet qesharak, në një kohë kur vendet e zhvilluara po investojnë miliarda për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe të të dhënave shtetërore. Gjatë konferencës, ai pati mundësinë të ndajë shqetësimet e tij mbi rrezikun që i kanoset sigurisë kombëtare të vendit dhe t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë mbështetje konkrete për forcimin e kapaciteteve institucionale në këtë fushë jetike.

Balliu theksoi se siguria kibernetike nuk është luks, por domosdoshmëri për sovranitetin, funksionimin e institucioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë. Në përfundim, ai nënvizoi se mbrojtja e hapësirës digjitale duhet të jetë prioritet kombëtar dhe se çdo neglizhencë në këtë drejtim përbën rrezik serioz për të ardhmen e vendit.

DEKLARATA
Ishte një kënaqësi dhe nder të isha i ftuar në Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua mbi rëndësinë jetike të sigurisë kibernetike në nivel global.
Në këtë forum ndërkombëtar u theksua qartë se siguria digjitale sot është një shtyllë themelore e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shteteve.
Fatkeqësisht, në Shqipëri kjo fushë kaq e ndjeshme vijon të menaxhohet nga individë të lidhur me struktura kriminale, duke minuar besimin, profesionalizmin dhe sigurinë e institucioneve tona. Rastet e konfliktit të interesit dhe lidhjeve me persona të përfshirë në aktivitete kriminale janë alarmante. Po aq shqetësues është edhe fakti se buxheti për sigurinë kibernetike në vendin tonë mbetet qesharak, në një kohë kur e gjithë bota po investon miliarda për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale.
Gjatë konferencës pata mundësinë të ndaj shqetësimet e mia mbi rrezikun që i kanoset sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe të kërkoj mbështetje nga partnerë dhe personalitete ndërkombëtare për forcimin e këtij sektori jetik.
Siguria kibernetike nuk është luks, është domosdoshmëri për të ardhmen dhe sovranitetin e vendit tonë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×