
Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës Zgjedhore mes mazhorancës dhe opozitës është shoqëruar me akuza, debate, por edhe ironi e batuta mes deputetëve anëtarë. Deputeti socialist dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ironizoi kërkesën e opozitës për shtim të ekspertizës edhe për qendrat e votimit dhe të numërimit. Ai tha se, sipas kësaj logjike, tashmë mbetet vetëm të pajtohen edhe ekspertë nga OKB-ja.
Kjo deklaratë shkaktoi të qeshura në sallë. Manja theksoi se gjatë 13 viteve si deputet janë ngritur 15 komisione për reformën zgjedhore. “I dimë sfidat, i dimë çështjet, i dimë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sa mbarojmë një palë zgjedhje, fillojmë menjëherë reformën për të tjerat. Madje ky Komision, në nivel ekspertize, nuk e di si mendojnë shqiptarët, por ndoshta duhet të sillnim edhe ekspertë nga OKB-ja”, u shpreh ai me ironi.
Më tej, Manja shtoi se ekspertët aktualë janë të mjaftueshëm dhe se çështjet e ngritura gjatë procesit të numërimit duhet të adresohen dhe të bashkërendohen që tani. “Vitin tjetër do t’i diskutojmë sërish. Nuk e di çfarë kërkoni më shumë për numërimin, teknologjia ka avancuar shumë”, tha ai. Sa i përket numrit të votuesve në qendrat e votimit dhe sistemit të ekspertimit, deputeti socialist u shpreh se mund të shtohen kamerat e vëzhgimit nëse ka nevojë. “Nuk e kuptoj çfarë filozofie duhet për të numëruar 1 mijë votues, kur aktualisht kemi deri në 700 votues për qendër. Hapet kutia me vëzhgues dhe kamera, bëhet numërimi dhe për dy orë përfundon. Duhet më shumë ekspertizë? Le ta marrim, të vendosim edhe dy kamera po të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.
Në fund, Manja bëri një tjetër batutë për “telenovelën” e reformës zgjedhore, duke theksuar se në 13 vite ka parë 15 komisione zgjedhore dhe se të vetmit që nuk kanë ndryshuar gjatë kësaj kohe janë dy bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. “Ndryshimet na duhen për zgjedhjet e radhës. Ka shumë vende që kanë probleme me zgjedhjet, por pak kanë bërë aq shumë komisione sa ne”, përfundoi ai.
and then