Dita e dashurisë, shqiptarët dynden në Prizren, qytetarët e Kosovës zgjedhin Shqipërinë. Fluks në pikat kufitare

Fundjava e kësaj jave, e përkuar me Ditën e të Dashuruarve, ka sjellë një fluks të lartë automjetesh në të dyja anët e kufirit të përbashkët Shqipëri–Kosovë. Pikat kufitare të Morinës dhe Vërmicës po përballen me një lëvizje të shtuar qytetarësh, të cilët kanë zgjedhur ta kalojnë fundjavën dhe 14 Shkurtin përtej kufirit.

Fluksi më i lartë është regjistruar në pikën kufitare të Morinës, ku qindra qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt Shqipërisë, kryesisht për të kaluar fundjavën në qytetet dhe në zonat turistike malore. Ky fluks vijon edhe aktualisht. Ndërkohë, edhe në drejtimin e kundërt ka lëvizje të konsiderueshme, me qytetarë nga Shqipëria që kanë zgjedhur Prizrenin, apo qendra të tjera turistike në Kosovë për të festuar Shën Valentinin.

Autoritetet doganore në të dyja anët e kufirit po punojnë me të gjitha sportelet e hapura, duke zbatuar marrëveshjen për kalim pa kontrolle të detajuara për qytetarët e të dy vendeve. Kontrollet po kryhen vetëm për automjetet me targa të huaja, ndërsa procedurat janë përshpejtuar për të shmangur radhët dhe pritjet e gjata.

Atmosfera festive dhe moti i favorshëm kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e lëvizjes, duke e kthyer këtë fundjavë në një nga periudhat me qarkullimin më të dendur të muajit shkurt në kufirin Shqipëri–Kosovë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×