
Reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa banesa në Njësinë Administrative Bradashesh, pranë zonës së Ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, duke rikthyer shqetësimin tek banorët.
Sipas strukturave të Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan, situata është përkeqësuar për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese, të cilat dyshohet se janë mbushur me inerte nga kompania Sallillari. Autoritetet theksojnë se kjo është hera e dytë që kompania akuzohet për ndërhyrje të papërgjegjshme në sistemin kullues të zonës.
Një tjetër faktor është dalja nga shtrati e përroit të Kushës, i cili gjithashtu është mbushur me mijëra metra kub inerte, duke ulur ndjeshëm kapacitetin për të përballuar prurjet e ujit gjatë reshjeve intensive.
Banorët shprehen të revoltuar dhe kërkojnë ndryshime të menjëhershme, duke kërkuar pastrimin e kanaleve dhe rikthimin e përroit në parametrat normalë, për të shmangur përmbytje të tjera në të ardhmen.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse po kryejnë verifikime në terren për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të marrë masat administrative dhe ligjore ndaj subjekteve që mund të kenë kontribuar në përkeqësimin e situatës. Po punohet gjithashtu për hapjen e kanaleve kulluese nga kompania Sallillari.
and then