
Kryeministri Edi Rama zyrtarizoi me urgjencë të hënën një nismë ligjore për forcimin e imunitetit të kabinetit të tij qeveritar dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë si kundërpërgjigje ndaj masës së pezullimit nga detyra për numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Në një mbledhje të grupit paralamentar të Partisë Socialiste, të drejtuar nga kryeministri Rama, socialistët bënë me dije se do të ndryshonin nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke i hequr të drejtën gjykatave që të marrin vendime pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave, Presidentit, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH-së.
Ndryshimet ligjore të propozuara, që sipas ekspertëve shkojnë përkundër retorikës për luftë kundër korrupsionit dhe veshin me imunitet shtesë anëtarët e qeverisë, vijnë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi për mungesë kuorumi pretendimet e Ramës se pezullimi i Ballukut nga Gjykata e Posaçme ishte shkelje e kushtetutës.
Megjithatë, gjatë takimit të grupit parlamentar, Rama këmbënguli se propozimi nuk kishte të bënte me rastin konkret.
“Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv”, theksoi Rama.
Lideri i partisë më të madhe opozitare, Sali Berisha, e cilësoi ligjin një pengesë më shumë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Rama i mbylli dyert integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” tha Berisha për gazetarët në një reagim pas publikimit të propozimit. “Në sytë e botës, Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale dhe ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen”, shtoi Berisha.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja që prezantoi ndryshimin, bëri me dije se bëhej fjalë vetëm për një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale. Nenit 242, i cili deri tani ndalon vetëm pezullimin nga detyra “të personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”, i shtohen një sërë postesh ekzekutive. “Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në propozim.
Ndërhyrja ishte një prej alarmeve që u ngritën nga analistë dhe ekspertë pas zgjedhjeve të fundit, në të cilat socialistët siguruan një shumicë dërrmuese në Kuvend. Ata paralajmëruan se shënjestra e supermazhorancës do të ishte sistemi i drejtësisë. Kryeministri Rama është angazhuar prej kohësh në një fushatë me sulme dhe retorikë kundër gjykatave, prokurorisë dhe magjistratëve të përveçëm./Reporter.al
and then