
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, dhe politologu Ermal Hasimja, të ftuar në studion e News24, kanë komentuar nismën e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për ndryshime në ligj lidhur me pezullimin nga detyra të anëtarëve të qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Kuçana u shpreh se kryeministri, sipas saj, po përpiqet të “sfumojë investimin e SPAK”, ndërsa shtoi se sulmet e tij ndaj sistemit të drejtësisë kanë qenë të vazhdueshme. “Kushtetuta është e barabartë për të gjithë. Nëse Rama nuk e ka kuptuar këtë, është problemi i tij”, deklaroi ajo.
Sipas përfaqësueses së PD, kryeministri mban qëndrim të dyfishtë, duke folur për barazi para ligjit, ndërsa nga ana tjetër, sipas saj, mbron Belinda Ballukun. “Nëse të gjithë janë të barabartë, pse kjo mbrojtje vetëm për një pjesë të kabinetit qeveritar? Pse jo për kryetarët e bashkive?”, u shpreh Kuçana.
Ajo shtoi gjithashtu se, sipas saj, Komisioni Evropian i ka kërkuar kryeministrit të mos pengojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe që çështja e Ballukut të trajtohet sipas ligjit. “Këtu nuk ka të pandëshkueshëm”, tha Kuçana, duke shtuar se ftesa e SHBA për në Bordin e Paqes është “për Shqipërinë dhe jo për Edi Ramën”.
Nga ana tjetër, politologu Ermal Hasimja u shpreh me ironi se nuk ka boshllëk në ligj, por “në qëllimet e Ramës ndoshta”. Ai theksoi se qëllimi i kryeministrit mund të jetë shmangia e një situate ku një prokuror apo gjykatës do të firmoste një vendim që do ta prekte drejtpërdrejt.
Hasimja shtoi se sistemi i drejtësisë aktual funksionon edhe falë mbështetjes ndërkombëtare. “Fakti që kemi një sistem që godet, vjen sepse në radhë të parë kemi faktorin ndërkombëtar që e mbështet SPAK-un”, u shpreh ai.
Sipas tij, zhvillimi logjik i situatës do të ishte refuzimi i heqjes së imunitetit të Ballukut nga mazhoranca. Ai theksoi se kryeministri po përpiqet të lidhë dy çështje që, sipas tij, nuk kanë lidhje direkte: pezullimin nga detyra dhe heqjen e imunitetit. “Po krijohet iluzioni se po punohet për një parim, ndërkohë që beteja është për një emër specifik”, përfundoi Hasimja.
and then