
Deputeti i Partia Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj nismës së paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për ndryshime në kod, duke e cilësuar atë si përpjekje për të garantuar imunitet për veten dhe ministrat e tij.
Sipas Këlliçit, kjo lëvizje bie ndesh me frymën e luftës kundër korrupsionit dhe përbën një hap pas për Shqipërinë, duke e rrezikuar barazinë para ligjit. Ai deklaroi se me këto ndryshime, kryeministri dhe anëtarët e qeverisë synojnë mbrojtje të posaçme gjatë ushtrimit të detyrës, çka sipas tij i vendos mbi qytetarët dhe mbi ligjin.
Deputeti demokrat theksoi se një vendim i tillë do ta kthente Shqipërinë në një “Republikë të Korrupsionit”, duke shtuar se shumica parlamentare mund ta miratojë nismën me votat e saj në Kuvend, siç – sipas tij – mund të refuzohet edhe një kërkesë e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqje imuniteti ndaj zyrtarëve të lartë.
Këlliçi bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke njoftuar një tubim proteste të premten, më datë 20, përpara Kryeministrisë në Tiranë. Ai theksoi se qytetarët nuk duhet të pranojnë që ligji të mos jetë i barabartë për të gjithë dhe se nuk do të lejojnë krijimin e një “Blloku të ri” privilegjesh dhe paprekshmërie, 35 vite pas rrëzimit të sistemit komunist. Në përfundim, deputeti i PD-së u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë “me pasion, energji dhe dashuri për Shqipërinë”.
REAGIMI I KELLICIT
Nuk lejojmë Bllok të ri në Tiranë, 35 vite pas rrëzimit të diktaturës!
Edi Rama zyrtarizoi sot nismën për të mbrojtur me ligj veten e tij, për të mos lejuar hetimin të shkojë te zyra e tij. Me ndryshimet që ka ndërmend të bëjë në kod, ai i jep vetes dhe ministrave imunitet përkundër gjithë frymës dhe nevojës së kohës, për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.
Me këtë akt, Shqipëria bën dekada pas dhe ne shndërrohemi ndoshta e vetmja republikë në planet që mbrojmë me ligj vjedhjet e kryeministrit dhe ministrave.
Edi Rama thjesht konfirmoi para qytetarëve se aferat e tij janë të paprecedenta, ai pohoi se hajdutëria e tij është e thellë, e ngritur në sistem kapilar në çdo institucion. Ndryshe, pse do të merrte masa ekstra mbrojtjeje për veten e tij?!
Sipas Edi Ramës, ai dhe ministrat e tij kanë mbrojtje speciale sa kohë janë në këtë detyrë. Ata nuk janë të barabartë para ligjit dhe janë ndryshe nga qytetarët! Ata sipas tij janë mbi ligjin!!!
Ky imunitet i veçantë, e bën Shqipërinë një Republikë të Korrupsionit, përpos se tashmë siç njihet si narkoshteti i parë i Europës.
Ai me kartonat e tij të bindur në Kuvend mund ta realizojë këtë gjë, ashtu siç mund refuzojnë kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut, siç edhe e paralajmëroi.
Por tani sfida i takon njerëzve, qytetarëve. Tani fatet e vendit duhen marrë në dorë nga populli. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që kryeministri ta vendosë me dekret se ligji nuk është njësoj për të gjithë.
Ndaj, mblidhemi të premten, më datë 20, para kryeministrisë, e t’i tregojmë vendin këtij autokrati të korruptuar.
Nuk do ta lejojmë që ai të ndërtojë një Bllok të ri privilegjesh e paprekshmërie në Shqipëri, 35 vjet pasi ky vend rrëzoi Bllokun e diktaturës dhe fitoi lirinë.
Bashkohemi me pasion, me energji me dashuri për Shqipërinë🇦🇱
and then