Favoritët fshihen, Formula 1 kërkon mbretëreshën 2026

Nga e mërkura deri të premten zhvillohet sesioni i fundit i testeve në “Bahrain International Circuit” para nisjes së sezonit 2026. Të gjitha skuadrat e mëdha kanë treguar potencial, por askush nuk dëshiron të shpallet favorit.

“Gjëja më pozitive është që askush nuk po flet për ne. Objektivi i parë, kur ke një makinë krejtësisht të re si kjo, është të grumbullosh kilometra. Vitin e kaluar kishim një pikë referimi nga sezoni i mëparshëm dhe mund të bënim krahasime.

Këtë vit nisim nga zero. Nuk duhet të fokusohemi vetëm te menaxhimi i energjisë, që është thelbësor për kohën në xhiro, por te të gjithë parametrat e Formulës 1 dhe garave: aerodinamika do të jetë vendimtare, ashtu si gomat, drejtimi dhe strategjitë në bokse”, tha Frederik Vasër, duke konfirmuar strategjinë e profilit të ulët të skuderisë Ferrari. Pas zhgënjimit të vitit të kaluar dhe pritshmërive të larta me ardhjen e Luis Hamilton, Ferrari ka zgjedhur të punojë në heshtje.

SF-26 ka përshkuar rreth 4 500 km pa probleme madhore, duke spikatur për shpejtësinë në vijë të drejtë dhe efikasitetin e sistemit të rikuperimit të energjisë. Ndërkohë, Red Bull Racing konsiderohet nga shumë si pika e referimit. Zërat nga “paddock”-u flasin për një motor shumë efikas, ndërsa Xhorxh Rasëll e ka quajtur ritmin e tyre “të frikshëm”, me Maks Vershtapenin që fitonte ndjeshëm në vijat e drejta gjatë simulimeve.

Edhe “Mercedes-AMG Petronas” mbetet në garë: simulimi më i shpejtë i javës u realizua nga Kimi Antoneli, ndërsa skuadra është në qendër të vëmendjes për një interpretim teknik të rregullores që po shqyrtohet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilzmit (FIA). Nga ana tjetër, edhe MekLaren, kampion në fuqi, vazhdon punën pa zbuluar potencialin e plotë. Përgjigjet e para do të vijnë vetëm me garën hapëse të sezonit, më 8 mars.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×