“Kompanitë private mund të japin hua pa interes”, Zef Preçi: Huaja me interes nga subjekte të palicencuara përbën vepër penale, marrin atributet e BSH

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi në një intervistë për News24, ka sqaruar se dhënia e huasë mes bizneseve që i përkasin të njëjtit grup është e lejueshme dhe e ligjshme, për sa kohë respektohen procedurat dhe kuadri ligjor në fuqi.

Sipas Preçit, bizneset në Shqipëri funksionojnë mbi bazën e ligjit për shoqëritë tregtare, i cili rregullon krijimin dhe aktivitetin e subjekteve ekonomike. Ai theksoi se vendi ynë nuk ka një ligj të posaçëm për shoqëritë “holding”, ndërsa operojnë kryesisht dy forma kompanish, shoqëri aksionere dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Preçi shpjegon se grupet e biznesit krijohen për të shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe për të ulur kostot e transaksioneve. “Pse të dal t’i blej shërbimet në treg, kur ka burime të mjaftueshme brenda grupit?”, argumenton ai, duke e konsideruar këtë praktikë plotësisht të ligjshme.

Sipas tij, në marrëdhëniet ndërmjet shoqërive brenda të njëjtit grup, dhënia e një huaje është e pranueshme, për sa kohë respektohen disa kushte thelbësore.

Ai thekson se transaksioni duhet të formalizohet me kontratë, të realizohet përmes sistemit bankar, të ketë afat të përcaktuar shlyerjeje dhe të jetë plotësisht i gjurmueshëm. Kjo, sipas tij, është e rëndësishme jo vetëm për transparencë, por edhe për pasqyrimin korrekt në bilancet financiare, veçanërisht në rastet e rritjes së kapitalit apo shpërndarjes së fitimit.

“Kompanitë brenda një grupi mund t’i japin hua pa interes njëra-tjetrës. Administratorët kryejnë shkelje ligjore dhe rrezikojnë ndjekje penale nëse japin hua me interes, pasi marrin atributet e një banke tregtare pa qenë të licencuar si institucion financiar nga Banka e Shqipërisë për dhënien e huave me interes.
Kompanitë nuk shkelin ligjin kur japin hua pa interes, mjafton që huaja të bazohet në dokumente kontraktuale, transfertat financiare të kryhen përmes sistemit bankar, të përcaktohet afati i kthimit dhe transaksionet të jenë të ligjshme e të gjurmueshme, si dhe të pasqyrohen rregullisht në pasqyrat financiare të kompanisë dhënëse dhe asaj marrëse brenda grupit”, tha Preçi.

Pyetje: A është e qëllimshme kjo mungesë transparence ndaj biznesit?

Zef Preçi: Mendoj se është një traditë e keqe e autoriteteve tatimore dhe doganore në Shqpiëri, janë një dorë e zgjatur mbi biznesin. Në thelb nuk i shohin si krijuesi i vlerës, i vendeve të punës, si kontributor në tatime dhe taksa, por e shohin si lopë për ta mjelë por pa i hedhur tagji në grazhd. Mbetet e qëllimtë kur administrata futet në reforma të tilla pa qenë e përgatitur dhe tregon arbitraritet siç ndodh psh kur kompanitë brenda një grupi i japin borxh njëri-tjetrit dhe në këtë situatë është e vështirë të dallosh ku është e ligjshme dhe ku e paligjshme, sepse kanë për qëllim të maksimizojë të hyrat në buxhet pa pyetur nëse është në të drejtën e vet apo jo biznesi.

Pyetje: A është e lejueshme dhënia e huasë mes bizneseve të të njëjtit grup?

Zef Preçi: Ka një gjë që duhet shpjeguar. Bizneset funksionojnë brenda të njëjtit grup duke shfrytëzuar hapësirën ekzistuese ligjore. Bizneset në Shqipëri krijohen në bazë të ligjit për shoqëritë tregtare, që rregullon funksionimin e subjekteve. Shqipëria nuk ka një ligj të posaçëm për shoqëritë e biznesit “holding”. Kemi 2 lloje kompanish, aksionere dhe ato me përgjegjësi të kufizuar. Përse krijohen këto grupe? Përgjithësisht, grupet e biznesit apo shoqëritë “holding” krijohen për të shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe ulur kostot e transaksioneve dhe aktiviteteve të tyre. Pse të dal t’i blej në treg shërbimet kur ka burime të mjaftueshme brenda grupit? Është gjithçka e ligjshme.

Për huamarrjen, nga pikëpamja e qarkullimit të parasë, vetëm ato institucione që licencohen nga BSH kanë të drejtë të japin para me interes, kredi, përndryshe japin hua. Por kjo ka kuptimin kur bën fjalë për hua që zhvillon ekonominë reale, për hua jashtë sistemit, jashtë shoqërisë. Por për marrëdhënie ndërmjet shoqërive, është e kuptueshme që kjo është krejtësisht e ligjshme. Do të thotë nëse kompania A, brenda të njëjtit grup, i jep para borxh kompanisë B, e rëndësishme është që ky transaksion të jetë me kontratë, të jetë i ligjshëm, të realizohet përmes bankës, sepse nuk ka detyrime fiskale por me bankë janë të detyrueshme edhe për individët, të ketë afat shlyerje apo rikthimi dhe të jetë i gjurmueshëm në rast se kompania vendos të rrisë kapitalin apo do t’ua ndajë aksionerëve kur të ndajë bilancin në fund të vitit.

Është krejt e natyrshme të ketë marrëdhënie të tilla, por e rëndësishme është dokumentimi i tyre përkatësisht dhe pasqyrimi në bilancin e grupit apo të kompanisë përkatesë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×