
Emri i Qazim Brukës rikthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik përmes emisionit “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, me një tjetër kapitull të një historie të mbushur me konflikte dhe përplasje familjare.
Vite më parë, ai u bë protagonist në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ku rrëfeu një episod të rëndë nga jeta e tij. Gjatë një konflikti të ashpër familjar, Bruka u plagos me sëpatë nga ish-bashkëshortja, ndërsa më pas e plagosi rëndë edhe ai atë. Ngjarja përfundoi në dyert e drejtësisë: Bruka u dënua me burg, çifti u divorcua dhe fëmijët mbetën në kujdestarinë e nënës.
Por drama nuk përfundoi aty.
Në vitin 2017, ai tronditi sërish kryeqytetin kur u ngjit mbi një oxhak në zonën e Laprakës, në Tiranë, duke kërcënuar se do të hidhej nga një lartësi prej mbi 50 metrash. Për më shumë se një orë, forcat e policisë, RENEA, zjarrfikësit dhe familjarët negociuan për ta bindur të zbriste. Sipas asaj që u mësua në atë kohë, shkaku i aktit ekstrem ishte një konflikt i thellë familjar dhe pamundësia për të takuar fëmijët, për shkak të një urdhri mbrojtjeje të marrë nga ish-bashkëshortja.
Sot, Qazim Bruka rikthehet sërish në studio për të rrëfyer një tjetër përplasje. Ai pretendon se është përfshirë në një konflikt të fortë me familjarët e bashkëshortes aktuale, për shkak të një shume parash. Sipas tij, situata ka agravuar ndjeshëm marrëdhëniet dhe e ka vendosur në një gjendje të rënduar psikologjike.
Një histori që duket se nuk gjen paqe – me episode të përsëritura tensioni, akuza dhe konflikte familjare, që prej vitesh mbajnë emrin e tij në qendër të vëmendjes. Rrëfimi i radhës pritet të hedhë dritë mbi një tjetër kthesë të kësaj sage personale.
and then