
Në ditën kur emri i tij u lakua në Spanjë, për një rikthim në Madrid, Jose Mourinho lë gjurmë, me teknikun portugez që rrëmbeu vëmendjen, fillimisht duke qetësuar Vinicius pasi i gjithë stadiumi shpërtheu në thirrje raciste ndaj tij, ndërsa në fund u ndëshkua edhe me karton të kuq për protesta ndaj gjyqtarit të takimit. Pas ndeshjes, tekniku portugez preku të gjithë temat e nxehta, duke nisur nga episodi me Vinicius:
“Më duhet të jem i ekuilibruar në këtë pikë. Vinicius thotë diçka, ndërsa Prestianni diçka tjetër. Nuk mund të them që dikush është gënjeshtar dhe dikush është shenjtor. Mund të them vetëm se kjo gjë ndodh thuajse në çdo stadium me të njëjtin lojtar, këtu ka diçka që nuk shkon. Ai shënoi një super gol, pse duhet të festonte në atë mënyrë, pse të mos festojë siç bënin dikur Di Stefano, Pele apo Euspebio”, u shpreh Mourinho.
Në fund, portugezi u ndal edhe duke analizuar kartonin e tij të kuq, faktin që nuk do të jetë në stol në ndeshjen e kthimit: “Të mos jesh në pankinë peshon, por ndeshjet përgatiten përpara, kam besim te asistentët e mi. Nuk na duhet një mrekulli, na duhet të luajmë mirë dhe të kemi pak fat”, theksoi Mourinho.
Alavaro Arbeloa merr frymë lirisht pas fitores 0-1 në “Da Luz”, për të është jetike që ekipi i tij të kalojë këtë fazë në Champions. Trajneri i Realit, pas ndeshjes ishte shumë i kujdesshëm në deklaratat e tij edhe pse u provokua jo pak nga gazetarët:
“Jam shumë i lumtur për ndeshjen që bëmë dhe për rezultatin. Sigurisht asgjë nuk ka përfunduar, por hodhëm një hap të rëndësishëm përpara. Çfarë ndodhi me Vinicius? Këtë pyetje duhet t’ia bëni lojtarit të Benfikës”, u shpreh Arbeloa duke bërë në fund dhe një koment në lidhje me dialogun që pati me Mourinho-n: “Ajo mbetet mes nesh. Nuk do të jetë në stol në ndeshjen e kthimit, por ai e meriton të jetë në Bernabeu. Mbase gjyqtarët duhet të jenë pak më të qetë”, theksoi ndër të tjera trajneri i Real Madrid.
and then