Tedi Blushi takon delegacionin e PE: Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë, integrimi në BE kërkon standarde reale

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se ka zhvilluar një diskutim me delegacionin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), të kryesuar nga eurodeputeti David McAllister, në kuadër të vizitës së tyre në Tiranë.

Blushi theksoi se gjatë takimit është diskutuar mbi përshpejtimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe përmbushjen e kritereve që vendi duhet të realizojë në këtë drejtim. Ai vuri në dukje, sipas tij, kontributin ndër vite të Partisë së Lirisë (ish-LSI) dhe të presidentit të saj, Ilir Meta, në avancimin e integrimit europian, duke rikonfirmuar qëndrimin e kësaj force politike në mbështetje të këtij procesi.

Në deklaratën e tij, Blushi ngriti shqetësime për atë që e cilësoi si rrëshqitje nga parimet e shtetit të së drejtës drejt një regjimi autokratik. Ai përmendi ekzistencën e disa rezolutave ndërkombëtare që, sipas tij, kritikojnë qeverinë aktuale për cenim të votës së lirë dhe kapje të institucioneve.

Blushi solli në vëmendje raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, si dhe deklarata të eurodeputetit Michael Gahler, duke theksuar shqetësimet e opozitës për standardet zgjedhore. Gjithashtu, ai përmendi raportin e Transparency International, sipas të cilit Shqipëria ka pësuar rënie në renditjen për perceptimin e korrupsionit.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte ajo e kontrollit parlamentar, duke pretenduar se opozitës i është mohuar e drejta për ngritjen e komisioneve hetimore dhe ushtrimin e funksionit të saj mbikëqyrës në Kuvend.

Blushi informoi gjithashtu eurodeputetët për situatën e Ilir Metës, duke e cilësuar atë si të burgosur politik dhe duke ngritur pretendime për shkelje të standardeve ligjore dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×