
Nuk ka surpriza në raundin e 1/8 në turneun ATP 500 të Dohas, teksa dyshja favorite Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner arritën të siguronin kualifikime të thjeshta.
Numri 1 i botës Carlos Alcaraz, arriti një fitore të fuqishme ndaj francezit Valentin Royer, 6‑3, 7‑5, duke kaluar në mes 8 më të mirëve. Spaniolli dominoi setin e parë dhe në të dytin, pavarësisht reagimit të Royer që mori epërsinë 4‑1, ngriti nivelin e lojës dhe shënoi pesë lojëra radhazi për të vulosur fitoren dhe siguruar kalimin në çerekfinale. Kjo fitore konfirmon formën e shkëlqyer të kampionit spanjoll, i cili pritet të përballet me një rival të fortë në fazën tjetër të turneut, duke dhuruar spektakël për tifozët në Doha.
Po ashtu, Jannik Sinner, numri 2 i botës, pas suksesit në debutim ndaj çekut Tomas Machac, mundi australianin Alexei Popyrin, i renditur i 53-ti dhe ish-numër 19 i botës, me rezultatin 6‑3, 7‑5 në një orë e 24 minuta lojë. Gjatë ndeshjes, Sinner fitoi dy pikë për break: në 3‑2 të setit të parë dhe në 5‑5 të setit të dytë, duke e përdorur shansin për të mbyllur sfidën. Të enjten, italiani do të përballet me çekun Jakub Mensik, numër 16 i botës, përballje që do të jetë krejt e re dhe pritet me interes nga tifozët.
Dy nga më të mirët e tenisit botëror treguan formën e tyre të shkëlqyer dhe sigurojnë spektakël të mëtejshëm në Doha, duke konfirmuar se sezoni i këtij viti nis me rivalitet të fortë dhe emocione të mëdha.
and then