“Si i ndave paratë e gjobës 100 mln euro të Bankers?”/ Shehaj i drejtohet Malajt: Fundin e keni te SPAK-u, do përdoresh edhe ti si Belinda

Kreu i Partia Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, gjatë një përplasjeje publike, duke e akuzuar për shpifje dhe për fshehje të përgjegjësive lidhur me një çështje financiare që, sipas tij, përfshin 100 milionë euro gjoba.

Shehaj deklaroi se ministri ndodhet në një situatë të dëshpëruar dhe se, sipas tij, ka gënjyer publikisht. “E kuptoj që jeni të dëshpëruar, nuk ka dyshim. Kur një njeri është i tillë vetëm shpif. Ti nuk shpif, ti je shpifës nga maja e flokut te këmbët. Sapo gënjeve në mënyrë të paturpshme,” u shpreh ai.

Në vijim, Shehaj ngriti pikëpyetje mbi menaxhimin e një shume prej 100 milionë eurosh, duke pretenduar se ato lidhen me faljen e një gjobe. “I ke falur 100 milionë euro gjobë. Çfarë u bë me ato para? I mblodhe apo i ndave me Bankers? Si po i ndani? Si po bëhet? Për këtë jep llogari,” deklaroi kreu i Partisë Mundësia, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale.

Ai paralajmëroi gjithashtu se zyrtarët e lartë që, sipas tij, kanë abuzuar me detyrën, do të përballen me drejtësinë, duke përmendur SPAK si institucionin ku, sipas tij, do të përfundojnë çështje të tilla.

Në deklaratën e tij, Shehaj përmendi edhe emra të tjerë të njohur të politikës shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama, si dhe ish-zyrtarë të lartë si Belinda Balluku, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Saimir Tahiri, duke pretenduar se edhe ministri aktual mund të ketë të njëjtin fat politik dhe ligjor.

“Duhet të kuptoni një gjë, nuk kam shumë vite këtu dhe si puna juaj kam dëgjuar pa fund. Gënjenin, shpifnin, por fundin e keni te SPAK-ut. Edhe ti që qesh aty të ka ardhur dita, po të përdor Rama siç bëri me Belinda Ballukun, Veliajn, Ahmetajn, Tahirin. Do të përdori dhe do të hedhë poshtë dhe do përfundosh në qeli ku do thuash “si ma bëri”. Ishin burra më të zotë se ty ata dhe kështu do përfundosh edhe ti, këtu do jemi”, u shpreh ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×