
Raporti Vjetor i të Dhënave të Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë në Shqipëri tregon se gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e problemeve emocionale dhe mendimeve vetëdëmtuese tek fëmijët dhe adoleshentët.
Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri (ALO 116-111) publikon Raportin Kombëtar për vitin 2025, i cili sjell një panoramë shqetësuese mbi përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, të lidhur ngushtë me rreziqet në hapësirën digjitale dhe presionet sociale me të cilat ata përballen çdo ditë.
Gjatë vitit 2025, ALO 116-111 regjistroi 9,042 telefonata dhe 566 raste të raportuara përmes chat-it, shifra që dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës për mbështetje emocionale, këshillim psikologjik dhe ndërhyrje profesionale. Në shumë raste, kontakti me linjën përfaqëson momentin e vetëm kur fëmijët dhe adoleshentët ndihen të dëgjuar dhe të sigurt për të folur.
Ndër të tjera Raporti tregon se siguria online, aksesi i pakufizuar në internet dhe celulari përbëjnë disa nga burimet kryesore të stresit dhe ankthit për fëmijët, me 178 raste. Hapësira digjitale, e cila për shumë fëmijë është vend komunikimi dhe socializimi, po shndërrohet gjithnjë e më shpesh në një mjedis presioni emocional, bullizmi, frike dhe izolimi.
Një nga gjetjet më alarmante të raportit lidhet me rritjen drastike të mendimeve dhe veprimeve vetëdëmtuese. Nga vetëm 2 raste të raportuara në vitin 2021, këshilluesit e ALO-s kanë mbështetur fëmijët në 91 raste në vitin 2025, duke sinjalizuar një përkeqësim serioz të gjendjes së shëndetit të tyre mendor dhe nevojën urgjente për ndërhyrje sistematike në nivel lokal dhe kombëtar.
Përveç këtyre, raporti evidenton se:
44 raste të dhunës në familje ndaj fëmijëve dhe 16 raste bullizmi në shkollë, çka tregon se mjediset më të afërta të fëmijës vijojnë të paraqesin rrezik të shtuar për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.
144 raste shfrytëzimi për përfitim, ku shpesh fëmijët kërcënohen dhe manipulohen për lypësi dhe jetesë në rrugë,
10 raste të ngacmimit seksual, të cilat përbëjnë një traumë të rëndë për zhvillimin emocional të fëmijëve.
Të dhënat tregojnë se problemet e shëndetit mendor prekin të dyja gjinitë, me një shpërndarje pothuajse të balancuar të viktimave: 48% vajza dhe gra, 45% djem dhe burra, si dhe 7% raste që përfshijnë grupe fëmijësh, të cilat kërkojnë vëmendje të shtuar për shkak të vulnerabilitetit të lartë emocional dhe social.
and then