
Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026” kanë mbyllur garat e skive alpine. Siç pritej, Zvicra dominoi tabelën e medaljeve me nëntë medalje gjithsej, katër prej tyre të arta, falë një epërsie dërrmuese në garat e meshkujve (katër nga pesë titujt e mundshëm).
Është hera e parë që meshkujt e një kombëtareje të vetme fitojnë kaq shumë medalje ari në një edicion olimpik. Ironikisht, kjo ndodhi pavarësisht se flamurtari i ekipit zviceran dhe skiatori më i mirë në botë, Marko Odermat, nuk arriti ta shndërrojë dominimin e tij absolut në Kupën e Botës në ar olimpik. Në katër garat për të artën olimpike ai fitoi dy medalje argjendi (kombinimi për ekipe dhe sllallomi gjigant), një bronz në supergjigant dhe u rendit i katërti në zbritje. Aventura olimpike në Kortina dhe Bormio u mbyll me tre emra që spikatën mbi të gjithë: dy medaljet e arta të Franjo von Allmen dhe Federika Brinjone, si edhe drama e Lindsi Von me rrëzimin e saj tronditës në zbritje.
DRAMA E VONIT Lojërat Dimërore të vitit 2026 do të mbahen mend për pak më shumë se dhjetë sekonda, aq sa zgjati ëndrra e fundit olimpike e legjendës Von. Në moshën 41-vjeçare, pas pesë vitesh tërheqje dhe me gjurin e djathtë të dëmtuar, amerikania nga Minesota mbërriti si skiatorja më e mirë e disiplinave të shpejtësisë: dy fitore në Kupën e Botës, shtatë podiume në nëntë gara dhe në krye të renditjes së zbritjes. Por vetëm një javë më parë, në Krans-Montana, ajo kishte këputur ligamentin e kryqëzuar të gjurit tjetër. Megjithatë, refuzoi të dorëzohej dhe më 7 shkurt, në mesditë, u nis në pistën “Olympia delle Tofane”. Ajo që pasoi ishte dramatike: përplasja me flamurin, rrëzimi i frikshëm, britma e dhimbjes në një heshtje akull, evakuimi me helikopter, operacionet dhe raportet e rënda mjekësore. Pamjet e saj të shtrirë mes aparaturave mjekësore, rikthimi i asistuar në SHBA dhe mesazhet e optimizmit prekën botën e sportit, ndërsa nuk munguan as zërat kritikë.
RINGRITJA E BRINJONES Në anën tjetër të medaljes qëndron historia e Federika Brinjones. Për muaj të tërë, Lojërat dukeshin një utopi për “Tigreshën e Milanos”. Një dëmtim i rëndë në Kampionatet Kombëtare Italiane, pas një sezoni dominues, i bëri Lojërat thuajse të pamundura. Ajo u rikthye në garë më pak se një muaj para Olimpiadës dhe u largua nga “Milano-Cortina” me dy medalje ari (supergjigant dhe sllallom gjigant), pavarësisht dhimbjeve në këmbën e dëmtuar, duke u shndërruar në një legjendë kombëtare. Në dy edicionet e mëparshme që Italia kishte organizuar Lojërat (2006 dhe 1956), nuk kishte fituar asnjë medalje në ski alpine. Këtë herë arriti pesë: dy të arta të Brinjones, argjendin e Xhiovani Franzonit dhe bronzet e Dominik Paris dhe Sofia Goxhias.
SHPËRTHIMI I VON ALLMEN Ylli i papritur i skuadrës zvicerane ishte Franjo von Allmen. Kampioni botëror në zbritje dominoi që në fillim: medalje ari në zbritje dhe një tjetër në kombinim, në partneritet me Tanguy Nef. Për të, kjo ishte eksperienca e parë olimpike, por tashmë ishte i konsoliduar në elitën e skive të shpejtësisë. Paralajmërimi kishte ardhur që më 1 shkurt me fitoren në zbritje në KransMontana.
MË NË FUND, SHIFRIN Pas makthit në “Pekin 2022”, ku kishte mbërritur e sëmurë me COVID-19, Lojërat e Kortinës nisën me vështirësi edhe për mbretëreshën e skive, Mikaela Shifrin. E larguar nga disiplinat e shpejtësisë pas dëmtimit serioz në Killington në nëntor 2024, ajo tentoi suksesin në kombinim bashkë me Breezy Johnson (kampione olimpike në zbritje), por gaboi dhe mbeti pa medalje. Në sllallomin gjigant u rendit e njëmbëdhjeta. Në sllallomin special, disiplinën e saj të preferuar, Shifrin mbërriti si favorite absolute, me dominim të plotë në Kupën e Botës dhe me hijen e “mallkimit olimpik”. Përgjigjja e saj ishte bindëse: medalje ari dhe rikthim në fronin olimpik, ashtu si në vitin 2014.
ARI HISTORIK I BRAZILIT Lojërat e vitit 2026 do të mbeten në histori si edicioni i parë ku një vend i Amerikës së Jugut fitoi medalje në ski alpine, dhe jo çfarëdo medaljeje, por ari. Lukas Pinheiro Braathen, i lindur dhe formuar sportivisht në Norvegji, vendosi dy vite më parë të përfaqësojë vendin e nënës së tij, Brazilin. Në sllallomin gjigant ai shfaqi cilësitë e tij më të mira dhe fitoi një medalje ari historike. Vetëm 25 vjeç, Braathen ka ende kohë që këtij suksesi në “Milano-Cortina” t’i shtojë të tjerë.

and then