
Një segment prej rreth 400 metrash në aksin rrugor Vlahinë–Poçëm me gjatësi totale 15 kilometra është dëmtuar rëndë vetëm një vit pas përfundimit të punimeve. Problemi është evidentuar pranë fshatit Karbonar, ku rruga tashmë paraqet rrezik serioz për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.
Në terren duken qartë shkarjet e tokës, sidomos në zonën pranë Vjosa, çka dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në amortizimin e këtij segmenti. Asfalti është dëmtuar pothuajse totalisht, ndërsa në disa pjesë janë krijuar çarje dhe deformime të theksuara.
Situata bëhet edhe më alarmante pasi një banesë, e pozicionuar në kodër mbi këtë segment rrugor, rrezikon shembjen për shkak të lëvizjes së dheut. Banorët shprehen të shqetësuar dhe thonë se dëmtimet janë përkeqësuar nga dita në ditë.
Sipas tyre, është e papranueshme që një investim i përfunduar prej vetëm një viti të degradojë në këtë mënyrë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe duke shkaktuar pasiguri për qarkullimin.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin e terrenit, ndërtimin e mureve mbajtëse, sistemimin e skarpateve dhe rehabilitimin e plotë të segmentit të dëmtuar, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e banesave pranë zonës.
Ndërkohë, deri në marrjen e masave, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë aks rrugor.
and then