
Dorian Teliti, ekspert dhe koordinator i programit të Partisë Demokratike, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar debatet mbi amnistinë fiskale dhe konceptin e paqes fiskale, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po trajtohen bizneset nga administrata shtetërore.
Sipas Telitit, amnistia fiskale i referohet të shkuarës, ndërsa paqja fiskale synon të ardhmen. “Amnistia është një thirrje për ata që kanë detyrime të prapambetura, për t’u ulur dhe për t’i shuar ato. Në këtë hamulli të madhe që është ekonomia shqiptare, bilancet duhen pastruar, por mënyra se si bëhet kjo është thelbësore”, u shpreh ai.
Ai theksoi se lidhja e amnistisë vetëm me aspektin kohor, pa një analizë të detajuar dhe pa instrumente shtesë, e bën procesin të padrejtë. Sipas tij, shteti duhet të nisë nga identifikimi i borxheve të parikuperueshme dhe të diferencojë ato nga detyrimet që mund të rikuperohen përmes procedurave ligjore.
Teliti solli shembullin e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet ndër vite dhe i kanë përdorur këto fonde për të krijuar avantazh konkurrues ndaj subjekteve të rregullta. “Nëse dikush nuk ka paguar detyrimet dhe i ka përdorur për konkurrencë të padrejtë, kjo nuk është e drejtë. Duhet një instrument edhe për palët e ndershme. Çfarë përfitojnë ata? Asgjë. Madje u shkohet për kontrolle shtesë nga tatimorët”, deklaroi ai.
Sa i përket paqes fiskale, Teliti sqaroi se ajo parashikon një marrëveshje për tre vitet e ardhshme mes biznesit dhe shtetit. Sipas tij, subjekteve u kërkohet të deklarojnë të paktën 18% më shumë fitim krahasuar me vitin 2025 (deri në një tavan 50%) dhe në këmbim u jepet e drejta të rishikojnë bilancet e vjetra të aseteve monetare dhe pasurore, duke paguar vetëm 5% tatim.
“Ndërkohë, subjekti i ndershëm ka paguar 15% tatim, kurse ai që hyn në marrëveshje paguan 5% dhe për tre vite nuk i shkojnë strukturat shtetërore te dera”, theksoi Teliti.
Një tjetër pikë e debatueshme, sipas tij, është kushti për heqjen dorë nga ankimimet. Ai kujtoi se ankimimi është e drejtë kushtetuese dhe aktualisht, për të ankimuar një gjobë prej, biznesi duhet të parapaguajë 50% të shumës.
“I vetmi për të cilin nuk flitet as te amnistia dhe as te paqja fiskale është subjekti i ndershëm”, përfundoi Teliti, duke nënvizuar se çdo reformë fiskale duhet të garantojë barazi dhe drejtësi për të gjithë aktorët e tregut.
and then