
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Studio24”, ka komentuar situatën e krijuar për bizneset mes amnistisë fiskale, paqes fiskale dhe gjobave të vendosura nga administrata shtetërore, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe efektet afatgjata në sistemin tatimor.
Sipas Gjokutajt, mosdalja e akteve nënligjore lë hapësirë vetëm për masa përgatitore, por problematika kryesore lidhet me ndikimin që këto ligje do të kenë te tatimpaguesit që presin faljen e detyrimeve. Ai theksoi se në fokus nuk është vetëm amnistia, por sidomos ligji për paqen fiskale.
“Qëllimi i këtyre dy ligjeve që pritet të hyjnë në fuqi është formalizimi i kapitaleve dhe integrimi i tyre në ekonomi. Por jemi në kushte mungese transparence dhe mosdalja e udhëzimeve e thellon këtë paqartësi”, u shpreh ai.
Gjokutaj kritikoi mënyrën se si janë miratuar ligjet, duke i cilësuar si të nxituara dhe pa një diskutim të gjerë publik.
Ai solli në vëmendje përvojën e vitit 2014, kur u aplikua një paqe fiskale me përmasa rreth gjysmën e asaj që parashikohet këtë vit. Sipas analizës së tij, përveç përfitimeve të menjëhershme në buxhet, ajo solli ulje të bashkëpunimit me 12–15% të subjekteve. “Në vend që të vendoseshin vetulla, u nxorën edhe sytë e sistemit”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se e njëjta dukuri mund të përsëritet edhe në kushtet aktuale.
Gjokutaj nënvizoi se besimi i tatimpaguesve është në nivele minimale për shkak të trajtimit të pabarabartë dhe problematikave në funksionimin e sistemit, përfshirë vonesat në rimbursime dhe praninë e elementëve korruptivë.
Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi faljen e detyrimeve të prapambetura, që sipas tij kapin vlerën mbi 500 milionë euro, pa një qartësim të plotë se kujt i falen dhe për çfarë shërbejnë realisht, përtej pastrimit afatshkurtër të bilanceve fiskale të administratës.
Në përfundim, Gjokutaj u shpreh se udhëzimet do të dalin, por qasja aktuale burokratike dhe mungesa e qartësisë tregojnë për një nismë që, sipas tij, nuk premton zhvillime pozitive për sistemin tatimor dhe mund të sjellë rritje të agresivitetit në raport me biznesin.
and then