“Sistemi fiskal që kemi, jo i shëndetshëm”, Teliti: Është përdorur si mjet presioni politik ndaj biznesit!

Dorian Teliti, ekspert dhe Koordinator i programit të Partisë Demokratike, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka ngritur kritika të forta ndaj sistemit fiskal në vend, duke e cilësuar atë si jo të shëndetshëm dhe kundërproduktiv për ekonominë shqiptare.

Duke komentuar situatën e krijuar mes amnistisë fiskale, paqes fiskale dhe gjobave ndaj biznesit, Teliti u shpreh se koha dhe shifrat kanë treguar qartë problematikat strukturore të modelit aktual ekonomik.

“Sot kemi dy sektorë në recesion: sektorin prodhues dhe bujqësinë. Këto janë sektorët që prodhojnë realisht në vend, ndërsa pjesa tjetër është e dominuar nga shërbime dhe mallra importi”, deklaroi ai.

Sipas Telitit, edhe të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se modeli ekonomik aktual nuk është i shëndetshëm. Ai theksoi se një nga shtyllat kryesore të këtij problemi është sistemi fiskal.

“Sistemi ynë fiskal është ndër më të lartët në rajon për sa i përket normave, por ndër më të ultët për sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Kjo përkthehet në konkurrencë të pandershme dhe borxhe të padrejta”, u shpreh Teliti.

Ai shkoi më tej duke pretenduar se në disa raste detyrimet fiskale kanë edhe konotacione politike, duke u përdorur si mjet për të goditur konkurrencën. “Janë bërë mjet presioni politik. Ky është realiteti”, tha ai.

Teliti deklaroi se në Shqipëri hyrja në treg shpesh lidhet me mbështetjen politike, duke shtuar se ndërhyrja e politikës në vendimmarrje, përfshirë aktet nënligjore si vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM), krijon problematika serioze për funksionimin normal të ekonomisë dhe konkurrencës së lirë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×