Skandali me infrastrukturën/ 3.8 miliardë euro për rrugët në 2024-2026, fondet në rekord, por cilësia në kolaps

Shqipëria ka investuar në infrastrukturën e transportit rrugor një shumë prej 370 miliardë lekësh, gati 3.8 miliardë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për periudhën 2014-2025 dhe fondi i pritshëm për 2026-n.

Me këtë shumë mund të ndërtoheshin rreth 350 kilometra autostradë e re e tipit A nga fillimi, duke përshkuar të gjithë gjatësinë e vendit, nga Vermoshi në Konispol, duke marrë si referencë kostot që përllogarit BE-ja për vendet si Shqipëria.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, investimet në infrastrukturën rrugore janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, duke nisur nga një nivel prej 24.4 miliardë lekësh në vitin 2014, në 44.5 miliardë lekë më 2025.

Ajo që bie në sy është hovi i jashtëzakonshëm që ka marrë buxhetimi pas vitit 2022, ku shifrat pothuajse janë dyfishuar, duke arritur kulmin historik në vitin 2025 me 44.3 miliardë.

Ky shtim masiv i financave në vitet e fundit, ku vetëm viti 2024 ka regjistruar një vlerë prej 405 milionë eurosh, duhet të ishte garanci për një infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme. Por në fakt, vendi tani është në një kolaps total, pasi të gjitha investimet e reja të bëra vitet e fundit po shkërmoqen.

Ndërkohë që shifrat nga buxhetet publike shënojnë rekorde, në rrugët e sapo-përfunduara asfalti i shtruar me kosto miliona eurosh shfaq dëmtime strukturore pa u mbushur ende viti i parë i përdorimit. Kjo diskordancë ndërmjet buxheteve rekord dhe cilësisë së dobët të punimeve ngre pikëpyetje të mëdha mbi efikasitetin e mbikëqyrjes teknike dhe standardet e materialeve që përdoren në këto akse.

Nëse shohim parashikimin për vitin 2026, vihet re një ulje e lehtë e fondeve në 35.4 miliardë lekë. Cilësia e ndërtimit nuk ka ndjekur rritjen e buxhetit për transportin rrugor. Ekspertët pohojnë se miliardat e shpenzuara rrezikojnë të shndërrohen në një gropë tjetër financiare, ku paratë e taksapaguesve do të duhet të ridestinohen sërish për riparimin e veprave që sapo janë përuruar.

Ky trend tregon se problemi i vërtetë nuk qëndron te mungesa e parave, por te mungesa e përgjegjshmërisë teknike, që po lejon që investimet më të larta në dekadën e fundit të shkrihen përballë shiut të parë apo qarkullimit normal të automjeteve.

Përveç cilësisë tejet të dobët të punimeve, politikat e investimeve në transportin rrugor u sabotuan duke e lënë qendrën e vendit pa infrastrukturë. Investimet e dekadave të fundit shmangën prioritetet që ishin vendosur në strategjitë e zhvillimit.

Përdorimi politik i fondit të investimeve la rajonin Fushë-Krujë–Tiranë–Durrës–Rinas me mungesa të thella, teksa fondet u përqendruan në skaje si Rruga e Arbrit, Tuneli i Llogorasë, Qukës–Qafë Thanë apo Korçë–Ersekë. Shmangia për dy dekada e projekteve në Korridorin 8 dhe Korridorin 10 ka zbehur përfitimet e vendit dhe ka rritur kostot për popullsinë e qendrës dhe të veriut./ monitor/



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×